Foto: KALLXO.com

Kryetari i Mamushës dëshmon në gjykimin e zyrtarëve të Komunës

Gjykimi ndaj dy zyrtarëve të Komunës së Mamushës, Cafer Morina dhe Rifat Krasniç, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve.

Aktakuza po e ngarkon Morinën se duke qenë në cilësinë e drejtorit të Arsimi, dhe  Krasniçin duke qenë në cilësinë e drejtorit të shkollës kishin punësuar pa konkurse disa mësimdhënës në shkollat e Mamushës.

Shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurve vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Dëshmitari i parë ishte kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç.

Krasniç rrëfeu para Gjykatës se detyrën si kryetar i Komunës së Mamushës e kishte filluar në vitin 2017, se gjatë kësaj kohe duke u mbështetur në ligje kishte lidhur partneritet me organizata të ndryshme për nevoja të Komunës.

Një ndër bashkëpunimet që kishte pasur Komuna e Mamushës në fushën e arsimit ishte bashkëpunimi me organizatën “Human Care” me ç’rast ishin punësuar disa mësimdhënës me financim të kësaj organizate, theksoi dëshmitari.

Përfaqësuesi i Prokurorisë, Mehdi Sefa, e pyeti dëshmitarin se si ishte e mundur që të hapeshin konkurse për punëdhënës në sektorin e arsimit, kur në marrëveshjen e arritur ndërmjet Komunës së Mamushës dhe organizatës “Human Care” nuk ishte e paraparë kjo gjë.

“Nuk e di”, u përgjigj dëshmitari.

Prokurori Sefa e pyeti dëshmitarin se në marrëveshjen e nënshkruar mes Komunës dhe OJQ-së “Human Care” a përjashtohen ligjet e Kosovës si Ligji mbi arsimin shkollor të mesëm, Ligji për financim, Ligji mbi punësim si dhe institucioni nga i cili duhet të hapet konkursi.

“Nuk kam përgjigje”, deklaroi dëshmitari.

Kurse, në lidhje me 4 mësimdhënësit e pranuar në shkollat e Mamushës, në bazë të marrëveshjes së Komunës dhe organizatës,  Krasniç tha se konkursi ishte shpallur dhe ishte financuar nga ana e OJQ-së së lartcekur dhe me sa kishte njohuri konkursi ishte vetëm për një periudhë të caktuar kohore.

Gjykimi për keqpërdorim të detyrës zyrtare vazhdoi me dëshminë e drejtorit ekzekutiv të “Human Care” Agim Qehaja.

Dëshmitari Qehaja tha se marrëveshja me Mamushën ishte në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit për dhënien e shërbimeve për qytetarë në fushën e shëndetësisë, kujdesin social, edukativo-arsimor dhe të tjera.

Qehaja  gjithashtu deklaroi se stafi i pranuar ishte bërë për nevojat e OJQ-së “Human Care” dhe Komunës së Mamushës.

Në lidhje me financimin dhe të hyrat që kanë pranuar mësimdhënësit,  prokurori Mehdi Sefa e pyeti dëshmitarin se nga ishte bërë.

Dëshmitari tha se punëtorët ishin paguar më bashkëfinancim nga ana e Komunës dhe nga ana e OJQ-së.

“ 80% ka qenë financim nga ana e Komunës, kurse 20% ka financuar “Human Care””, deklaroi dëshmitari.

Në përfundim, nga ana e Prokurorisë u propozua që në seancën e radhës të datës 17 shtator 2021, të dëgjohet një zyrtar ligjor nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Sipas Prokurorisë, gjatë muajit nëntor të vitit 2020, të pandehurit në cilësinë e personave përgjegjës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare dhe me qëllim shkelin të drejtat e personit tjetër Ramadan Shanli.

Tutje, aktakuza përshkruan se në cilësinë e drejtorit të Arsimit dhe në cilësinë e drejtorit të shkollës në Mamushë, të akuzuarit veprojnë në kundërshtim me ligjin e punës ashtu që me dashje të njëjtit themelojnë marrëdhënie pune me mësimdhënësit Kenan Morina dhe Fahri Morina në shkollën e mesme “Ataturk” si dhe i akuzuari Cafer Morina, themelon marrëdhënie pune edhe në shkollën fillore “Anadolu” me mësimdhënësen Hysnie Qabrati dhe në shkollën “Zybejde Hanem” me mësimdhënësin Shakir Mazrek pa zhvilluar konkurs dhe në shkelje të plotë të ligjit të punës.

Me anë të këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë Cafer Morina dhe Rifat Krasniç akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.