Kryetari i Malishevës: Na janë larguar dy mjekë, nëse largohet edhe i treti do të kemi probleme

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në KALLXO.com ka dhënë informacionet e fundit për gjendjen në komunën të cilën e drejton, e futur në karantinë pas shpërthimit të rasteve me coronavirus.

Komuna e Malishevës është vendi ku janë konfirmuar katër raste me virusin corona.

Ai ka thënë se kanë formuar një shtab emergjent për t’iu përgjigjur të gjitha rasteve, por tha se mjetet mbrojtëse nuk janë të mjaftueshme.

“Të prekurit me virus janë banorë të Malishevës po që kanë pasur kontakte me ata që kanë ardhur nga Italia. Qeveria komunale e ka formuar një shtab të emergjencës me ato mundësitë që i kemi. Në Qendrën e Mjekësisë Familjare është ndarë automjeti i veçantë për trajtimin e këtyre njerëzve dhe një ekip për çdo rast kur ka kërkesa nëpër fshatra për me i trajtu. Megjithatë pajisjet janë të mangëta dhe u kemi treguar që s’mundemi me mbulu, por ardhja e këtij kontingjentit të fundit na ndihmon sadopak”, ka thënë në KALLXO.com, Ragip Begaj, kryetar i Komunës së Malishevës.

Ai ka thënë se po përballet me numrin e vogël të mjekëve specialistë. Sipas tij, tre mjekët të cilat kanë pasur kontaktet me personat e prekur nga coronavirus do të vetëizolohen.

“Shqetësuese për ne është se tre mjekë, dy na janë larguar dhe i treti pritet të largohet, me u vetëizolu për arsye se ka qenë në kontakt me personat e infektuar, dhe nëse tre mjekë i largohen Malishevës, që edhe ashtu kemi mungesë të mjekëve, do të kemi me të vërtetë problem”, ka thënë Begaj.

Tutje, kryetari i Malishevës tha se po punojnë në identifikimin e të gjithë personave të cilët kanë ardhur në komunën e Malishevës nga vendet e prekura nga virusi, si Italia e vende të tjera nga rajoni e bota.

“Kemi kontaktuar me familjen e prekur nga Bubaveci dhe me rrethin e tyre, e kam autorizuar edhe drejtorin e Shëndetësisë dhe kemi komunikuar me të gjithë kryetarët e fshatrave për t’i marrë informacionet e nevojshme”, ka thënë ai.

Këtu mund ta dëgjoni intervistën e plotë të Ragip Begajt:

Intervistë: Nexhmi Rudari

Intervistë: Ragip Begaj dhe Nexhmi Rudari

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 15 mars 2020