Kryetari i Lipjanit përballë premtimeve në 'Jeta në Komunë' - VIDEO
Sonte në “Jeta në Komunë” po ndiqni debatin me asamblistët e Kuvendit Komunal të Lipjanit.
Në “Jeta në Komunë” në Lipjan ka qenë i ftuar edhe kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti por i njëjti nuk ka pranuar të marrë pjesë.
Të njëjtit i është kërkuar që të delegojë nënkryetarin apo dhe drejtorët e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve të asamblistëve, por as kjo nuk ka ndodhur.
“Këtu e kemi ftuar kryetarin, kryetari nuk ka pranu me ardh me u përballë me asamblenë. Madje Imriu nuk e ka delegu as nënkryetarin e drejtorët e tij për me u sqaru për pyetjet”- ka thënë Jeta Xharra nga emisioni “Jeta në Komunë. “
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti në vitin 2021 kur garonte për kryetar të Lipjanit kishte dhënë një mori premtimesh për këtë komunë, të cilat do t’i realizonte disa brenda mandatit e disa në kohë edhe më të shkurt.
Krypometri ka matur premtimet e Ahmetit, tash në vitin e tretë të mandatit.
Njëri nga premtimet e Ahmetit ishte ndërtimi i një shtëpie të re të Kulturës në Lipjan.
“Por për Shtëpinë e Kulturës ne mendojmë që në vijim të mandatit të ardhshëm do të ndërtojmë një shtëpi të re të Kulturës për nevojat aktuale të rinisë”- kishte thënë Ahmeti në atë kohë.
Por Lipjani ende vazhdon të jetë me objektin e vjetër të Shtëpisë së Kulturës.
“Pas përfundimit të procesit të tenderimit, kemi ankesë në OSHP dhe presim deri te kthehet përgjigjja nga OSHP”- thuhet në përgjigjen e komunës.
Një premtim tjetër i kryetarit Ahmeti ishte ndërtimi i stadiumit të futbollit në Dobrajë të Madhe për të cilin në vitin 2021 kryetari thoshte “është para përfundimit të kontraktuar”.
Krypometri ka gjetur se punimet në stadiumin e Dobrajës janë ende duke vazhduar.
“Janë duke vazhduar punimet me një intesitet të shtuar për t’u përmbyllur si projekt deri në fund të vitit 2024”- thuhet në përgjigjen e komunës.
Kryetari Ahmeti në Jeta në Komunë kishte premtuar ndërtimin e çerdhes në fshatin Gadime të cilën e ka realizuar.
Premtim të madh Ahmeti pati dhënë për ndërtimin e një parkingu nëntokësor.
“Njëri park do të jetë parking nëntokësor mrapa Komunës, pra park mbi të, dhe parku tjetër do të jetë të akutalisht tregu i gjelbërt që do të shëndërrohet në park mbi dhe një pjesë përmbi 50% të aktualitetit siç e kemi atje, do ta kemi treg ditor për pemë dhe perime”- kishte thënë Ahmeti në Jeta në Komunë.
Ky projekt është duke vazhduar punimet ndërsa sipas përgjigjës së Komunës së Lipjanit pritet të përfundojë në pjesën e parë të 2025.
“Në Komunën e Lipjanit po vazhdojnë punimet e projektit madhor i cili përfshinë katër projekte, të integruar në një projekt, si : ndërtimi i nënkalimit, ndërtimi i sheshit, parkut qendror dhe parkingut nëntokësor. Punimet në projektin e nënkalimit dhe parkingut nëntoksor janë në fazen finale të punimeve dhe pritet brenda një kohe të shkurt të bëhet edhe përurimi i tyre. Ndërsa, punimet në ndërtimin e sheshit dhe parkut qendror mbi parkingun do të përfundojnë në pjesen e parë 2025”- ka thënë Komuna.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti në kohën kur garonte për këtë pozitë në vitin 2021 kishte premtuar ndërtimin e një qendre rinore në fshatin Janjevë.
Tri vite pas, një qendër e tillë nuk është ndërtuar ndërsa Komuna arsyetohet.
“Nuk kemi gjetur burime financiare e as mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës”- thuhet në përgjigjen e komunës.
Një premtim i kryetarit Ahmeti ishte edhe rritja e numrit të grave në udhëheqjen e drejtorive në qeverisjen e tij.
“E dini që as në debatet e kaluara nuk kanë dhënë numra, por jam i interesuar sa më shumë më dhanë mundësi. Këtë mandat katër drejtoresha i kemi pasë, nga 12 drejtori. Po besoj do ta rrisim tutje”- kishte thënë Ahmeti.
Aktualisht në Komunën e Lipjanit janë 13 drejtori, 3 prej të cilave udhëhiqen nga gratë.