Kryetari i Leposaviqit thotë se të hënën do e vazhdojë punën në objektin e komunës

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi tha se për nesër, e hënë, planet e tija janë që ta vazhdojë punën në objektin e kësaj komune.

“Sigurisht që po” – ishte përgjigja e shkurtë që kryetari dha për KALLXO.com kur u pyet për këtë çështje.

Hetemi u pa në objektin komunal në Leposaviq edhe gjatë ditës së djeshme, ndërsa u vizitua edhe nga Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Të premten, në komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Kjo situatë nxiti edhe reagimin e sekretarit amerikan, Antony Blinken i cili kritikoi qeverinë për përshkallëzim të tensioneve në veri.

Përveç sekretarit Blinken, ishin edhe të gjithë ambasadorët e QUINT-it që reaguan ashpër në lidhje me situatën e krijuar, duke vënë gishtin në drejtim të Qeverisë së Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar dje gjatë gjithë ditës për zhvillimet në veri, të cilat ishin të qeta dhe pa ndonjë problem.

Ekipet e Policisë së Kosovës vazhduan edhe dje t’i ruajnë objektet komunale në këto tri qytete.