Kryetari i Leposaviqit hyn në Komunë, shkon edhe Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka shkuar para disa minutash në Leposaviq.

Siç mëson KALLXO.com Sveçla ka hyrë në objektin e Komunës së Leposaviqit.

Gjithashtu, edhe kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi është parë gjatë ditës së sotme deri sa ka hyrë në objektin komunal nën përcjellje të policisë.

KALLXO.com ka provuar që të vihet në kontakt me Hetemin por nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Në afërsi të komunës edhe gjatë ditës së sotme janë parë njësitë speciale të Policisë së Kosovës të cilët janë duke ofruar rend dhe siguri në atë pjesë që nga dita e djeshme.

Kjo pas situatës së krijuar pasi që tre kryetarët e rinj të komunave Zubin Potok, Leposaviq e Zvecan hynë brenda objekteve komunale për të ushtruar të drejtën e tyre meqë fituan votat për të qeverisur atje.

Dhjetëra qytetarë ishin mbledhur në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Në Leposaviq e Zvecan pati tensione ndërsa policia njoftoi se për të larguar turmën përdori edhe gazin lotsjellës.

KALLXO.com mëson nga burime të saj se gjatë ditës së sotme nuk është shënuar asnjë incident që nga orët e hershme të mëngjesit.

Pesë policë gjatë ditës së djeshme kanë marrë lëndime të lehta trupore pas përballjes me turmën e qytetarëve që ishin mbledhur për të penguar hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër komunat në veri të vendit.

Përveç të lënduarve, pati edhe dëmtime të veturave, të policisë e edhe të gazetarëve.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet që ndodhën në atë zonë.

Krejt çka ndodhi dje në veri të Kosovës