Kryetari i LDK-së nuk flet për pikat ku s'u pajtuan me LVV-në

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e kryesisë ku është biseduar rreth harmonizimit të programit qeverisës ndërmjet kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha pas mbledhjes se me Vetëvendosjen kanë arritur një pajtueshmëri të kënaqshme.

“U informuam nga ekipi ynë në ligje me rrjedhën e dialogut me LVV. Kryesia jonë ka vlerësuar se ekipi ka kryer punë te mirë. Janë arritur pajtime të kënaqshme sa i përket ministrive dhe ndarjes se tyre në 12”, tha Isa Mustafa para gazetareve të premten.

Ai paralajmëroi se takimet do të vazhdojnë me partinë e Albin Kurtit pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ndërsa tha se deri më tani janë disa çështje që janë përafruar mirëpo nuk janë harmonizuar ende.

Mustafa tha se janë disa çështje në fushën e ekonomisë për të cilat ende nuk janë pajtuar plotësisht.

“Ishte një pajtueshmëri e përgjithshme që ekipi i ynë të vazhdoj edhe më tutje në harmonizimin e çështjeve që janë përafruar por që nuk janë harmonizuar ende”

“S’dua të lëshohem konkretisht se në cilat pika s’jemi pajtuar. Janë çështje të ekonomisë, të mjeteve të privatizimit, te taksat dhe duhet të kemi kujdes që të mos i ngarkojmë qytetarët me taksa”, tha ai.