Kryetari i KQZ-së tregon nëse Lista Serbe do të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet e prillit në komunat në veri

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka folur për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat pritet të mbahen më 23 prill.

Radoniqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se së shpejti do të fillojnë një plan operacional për zgjedhjet.

Por, ai ka theksuar se mbajtja ose mosmbajtja e këtyre zgjedhjeve nuk varet nga KQZ-ja.

“Sa i përket zgjedhjeve në veri prapë do t’i fillojmë përgatitjet. Do të fillojmë plan operacional. A do të mbahen a jo nuk mund të jap përgjigje sepse jo gjithçka varet nga KQZ-ja. Nuk kemi vlerësim të situatës. Ne do të përgatitemi për zgjedhjet e 23 prillit”- ka thënë ai.

Radoniqi ka shtuar se mund të ketë hapje për kandidatura të reja. Dhe se do t’i lejohet edhe Listës Serbe të aplikojë.

Teksa ka folur për organizimin e zgjedhjeve, kryesuesi i KQZ-së ka thënë se vazhdimisht janë duke punuar në pastrimin e listave në mënyrë që të eliminohet problemi i cili i shoqëron qytetarët në procese zgjedhore kur në listë të votuesve hasin në emrat e personave të vdekur.

“E kemi një problem ligjor ku thotë se për secilën zgjedhje lista merret nga Qendra për Regjistrim Civil. Ka shumë persona të vdekur në listën që e marrim nga Qendra. Ne vazhdimisht punojmë në listë të votuesve. Ne e bëjmë pastrimin e listave dhe deri tani rreth 20 mijë veta janë larguar, por nuk mund të them se ajo do të jetë 100 përqind”- ka thënë ai.

Tutje ai ka shtuar se do të ketë lehtësira edhe në regjistrim edhe në verifikim të votuesve jashtë vendit.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 23 prillin e vitit 2023 datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Zgjedhjet për këto katër komuna janë shtyrë pas tensioneve të krijuara në veri të vendit, të cilat u shoqëruan me lëshim të sirenave, sulme, shpërthime e barrikadim të rrugëve nga serbët lokalë pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq që, sipas Policisë, dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.