Kryetari i KQZ-së në Shqipëri thotë se nëpër qendrat e votimit ka njerëz të pa autorizuar

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka thënë se nëpër qendrat e votimit janë duke qendruar njerëz të pa autorizuar.

Në një konferencë për media ku ka folur për ecurinë e procesit zgjedhor deri në ora 13:00, Celibashi kërkojë nga organet ligjzbatuese që të largojnë njerëzit e pa autorizuar nga qendrat e votimit.

“Një çështje që dua të sjell në vëmendje të organeve ligjzbatuese, është prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit. Autoritetet ligjzbatuese ta adresojnë si shqetësim dhe të merren masa. Është e papranueshme që qytetarë që nuk kanë lidhje të rrinë në ambientet e brendshme të votimit. Duhet të boshatisen menjëherë dhe çdokush që refuzon do të mbajë përgjegjësi” – tha Celibashi.

Ai ka bërë të ditur se 77% e qendrave të votimit e kanë filluar procesin në ora 07:00, 18% në ora 07:30 dhe 11% pas orës 08:00.

“Nga komunikimi që kemi me policinë mbi incidente mundshme, kemi dy incidente një me komisionerin në Fushëkrujë dhe një në Dibër. Kemi disa raste denoncimesh, janë 14 të denoncuara deri më tani” – ka thënë tutje Celibashi.

Sot po mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.

Këto zgjedhje u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike kur opozita ishte e përçarë dhe socialistët të vetëm kërkojnë rikonfirmimin në pjesën më të madhe të bashkive.

Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.  Janë 3.650.550 zgjedhës me të drejtë vote, ndërsa 122.545 janë votues për herë të parë.

Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin.