Kryetari i KPM: Kërkesë e shoqërisë që portalet audio-vizuele të hyjnë në kuadër të KPM-së

Xhevat Latifi kryetar i Komisionit të Pavarur për Media, gjatë ditës ka paraqitur Raportin vjetor të institucionit që drejton për vitin 2020, në Komisionin për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie i Kuvendit të Kosovës.

Latifi, gjatë kësaj mbledhjeje, ka thënë se duhet një ligj të ri i KPM-së i cili pos tjerash, duhet të përfshijë përbrenda edhe portalet audio-vizuele që të jenë në kuadër të këtij institucioni.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar, ai tha se “jemi dëshmitar të një gjendje toksike të fjalorit të mediave në Kosovë”.

“Për shumëçka në shoqërinë tonë mungon informacioni se kush duhet të jap përgjegjësi për ndonjë problem që ngritët në shoqërinë tonë. E marr shembull çështjen e portaleve, shpesh herë njerëzit kërkesat i bëjnë në KPM për portalet. E është KPM që me portalet nuk merret”, tha Latifi.

Ai ka arsyetur këtë ide.

“Kur e përmendim çështjen e ligjit të ri të KPM-së, pikërisht është pjesa audio-vizuele e portaleve të futet në kuadër të trajtimit të KPM-së”, tha ai.

KALLXO.com, ka marr një qëndrim nga Latifi, për ta pyetur se ideja e kujt është që portalet audio-vizuele të hyjnë në kuadër të KPM-së.

E Latifi tha se para Komisionit parlamentar, ai ka paraqitur kërkesat e shoqërisë e jo qëndrimin e tij e as të KPM-së.

“Unë kam thënë që në ligjin e ri do të ishte mirë që të përfshihen edhe portalet që merren me produkte audio-vizuele. Në ligjin e ri, jo tash. Jo të gjitha portalet, por ato që merren me pjesën audio-vizuele. Është vetëm kërkesë. Ne veç po e matim opinionin, shqetësimet e njerëzve. Nuk mund të themi se është formësuar kjo ide. Unë e kam paraqitur mendimin si shqetësim të shoqërisë, nuk mund të themi se është mendim i imi apo qëndrim i KPM-së, por si shqetësim i shoqërisë tonë”, tha Latifi për KALLXO.com.

Latifi tha se janë shumë larg ligjit të ri duke mëtuar që fillimisht duhet të krijohet një lobim i shoqërisë civile dhe i të gjitha grupeve të interresit, që të bëhet një ligj i mirë i KPM-së.

“Natyrisht është shqetësim i shoqërisë, i njerëzve, i mediave, i shoqërisë civile. Kjo ka qenë vetëm si emërtim që nëse kemi ligj të ri të KPM-së, të mendohet që edhe pjesa audio-vizuele e portaleve të monitorohet prej KPM-së”, tha Latifi.

Ai tha se kur të filloj debati për ligjin e ri të KPM-së, atëherë munden grupet e interesit e shoqëria civile të ndërhyjnë.

Gjatë vitit 2018, ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Nait Hasani i cili ishte edhe kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kishte thënë se po synojnë të bëjnë një Ligj të veçantë për mediat, i cili do të disiplinonte mediat e do të mbronte gazetarët.