Kryetari i Komunës së Leposaviqit: Po bëjmë atë që na kërkoj KFOR-i

Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq para gazetarëve ka thënë se KFOR u ka kërkuar të lirojnë një pjesë të rrugës dhe këtë e kanë bërë në mënyrë që ata të vendosen në vend të njësive speciale.

“Ushtarët e KFOR-it kanë kërkuar që ne të lirojmë një korsi dhe ne e kemi bërë në mënyrë që ata të vijnë në lokacion ku do të vendosen në vend të specialëve. E kemi bërë atë që është kërkuar. Në momentin që lëvizin njësitë speciale edhe makineritë hiqen”, ka  thënë Todiq.

Ai tutje potencoi se gjëja kryesore është të ruhet paqja dhe të kthehet situata në normalitet.

“Kryesorja është të ruajmë paqen dhe të kthehemi në nornalitet. Natyrisht se duhet respektuar marrëveshja dhe NATO është garantues. Ishim të përgjegjshëm gjatë kësaj kohe me barrikada”, potencoi tutje Todiq.

Todiq tutje theksoi se beson që edhe nga ana e Prishtinës do respektohet marrëveshja e Brukselit.

“Unë besoj se njerëzit në Prishtinë do ta respektojnë dhe janë të vetëdijshëm çfarë situate është në terren dhe te zbatohet ajo çka është nënshkruar në Bruksel. Populli është gati t’i heq kamionët dhe t’i  kthehet jetës normale sepse normaliteti na duhet të gjithë”, tha Todiq.

Marrëveshja për targat e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të nisë së zbatuari sot.

Sipas marrëveshjes të arritur ditë më parë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në Jarinjë e Bërnjak, do të largohen njëkohësisht me bllokadat në rrugë, sot në orën 8:00 dhe gjithë kjo tërheqje do të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00.

KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.

 

KFOR arrin në Bërnjak dhe Jarinjë – Pamje