Kryetari i Klinës me veturë zyrtare në fushatën e AAK-së

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj gjatë ditës së shtunë, datë 21 shtator ka marrë pjesë në një takim me qytetarë e në takim ka shkuar me veturën zyrtare të Kuvendit Komunal në Klinë.

Takimi është mbajtur rreth orës 16 në shkollën fillore në Zllakuqan.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Elezaj, duke thënë se në këto takime nuk mund të ecë në këmbë dhe se veturën e ka në shfrytëzim 24 orë në shtatë ditë të javës.

“Po kam qenë unë, kam qenë në takim me qytetarë, me ju thanë të drejtën ne s’mund të ecim në këmbë në këto takime. Fushata ende nuk ka filluar dhe nuk ka të bëjë me fushatën asgjë, takimi ka qenë me qytetarët për qëllime te investimeve infrastrukturore”, ka thënë Elezaj.

Zenun Elezaj vjen nga partia e AAK-së dhe në zgjedhjet lokale 2017, pas balotazhit me Partinë Demokratike të Kosovës ka fituar qeverisjen e Klinës.

Mirëpo në një postim në llogarinë e saj në Facebook, kandidatja për deputete nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Marqe Tanushi Selmanaj është shfaqur nga i njëjti tubim, ku shihen bashkë me kryetarin Zenun Elezaj edhe disa prej kandidatëve për deputetë të AAK–PSD-së.

Tanushi Selmanaj ka shkruar në Facebook se nëndega e AAK-së në Zllakuqan dhe Leskoc është e gatshme për përkrahjen e Haradinajt.

“Nëndega e AAK-së në Zllakuqan dhe në Leskoc të përkushtuar dhe të gatshëm për përkrahje të Kryeministrit Haradinaj për 100% shtet”, ka shkruar Tanushi Selmanaj.

Tanushi Selmanaj përmes publikimit ka kërkuar përkrahje për kandidatët e AAK-së për deputet, Hekuran Sejdiu, Driton Bardheci dhe veten e saj Marqe Selmanaj.

Në këtë takim shihet edhe kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

 

Në anën tjetër, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të veturave nga stafi politik gjatë fushatës zgjedhore.

Përmes një komunikate për media MKRS, njofton se Gashi, në bazë të kompetencave të tij, të mbështetura në ligj, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të automjeteve zyrtare në gjatë 24 orëve për stafin politik.

Sipas komunikatës, në vendim thuhet se obligohen zëvendësministrat, këshilltarët dhe stafi tjetër i kabinetit që automjetet zyrtare të cilat i kanë pasur në shfrytëzim 24 orë t’i dorëzojnë dhe t’i kthejnë në parkingun e MKRS-së, duke shfuqizuar çdo vendim të mëhershëm.