Kryetari i Kamenicës me mesazh për nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kastrati ka thënë se është përgjegjësi ë të gjithëve të bëjnë më të mirën për nxënësit.

Në anën tjetër, Kastrati ka inkurajuar nxënësit të interesohen më shumë në lidhje me shkollën sepse sipas Kastratit shkolla tashmë nuk është e njëjtë sikur në kohën e gjyshërve.

Publikimi i plotë i Kastratit:

Urime viti i ri shkollor! Ju uroj shëndet, fat, dhe shumë suksese! Shkolla është rruga më e mirë për një jetë të përmbushur. E ardhmja është para jush. Do të keni mundësi të shumta për të ia dalë. Për të realizuar veten tuaj në plotni. Është përgjegjësi e të gjithëve: nga prindërit, mësuesit, shkolla, komuna, shteti, e gjithë shoqëria, për të bërë më të mirën që dimë për ju. Të sigurohemi që edukimi është jo vetëm proces edukativ, por edhe socializues, atraktiv e inovativ për ju. Sot, koncepti i shkollës nuk është i njëjtë me konceptin e gjyshit tuaj. Edukimi nuk fitohet vetëm nga ligjërimi i prindit apo mësuesit, por nga interaktiviteti me botën. Kurioziteti juaj për botën do të bëjë ndryshimin. Andaj, ju ftoj të mos i ndalni pyetjet e interesimin. Të mos dorëzoheni para pengesave. Ju inkurajoj të ndiqni ëndrrën dhe pasionin, e para të gjithave, t’i bëni detyrat e shtëpisë. Nëse i bëni ato me rregull – që më vonë nënkupton marrjen e përgjegjësisë për rolin tuaj shoqëror – bota do të jetë më e mirë për të gjithë. Mos harroni, jo të gjithë do të bëhen mjekë, apo juristë, apo ekonomistë. Disa bëhen poetë të mrekullueshëm, disa bëhen inxhinierë pa të cilët s’ bën, disa të tjerë bukëpjekës. E rëndësishme është që çka do që bëjmë ta bëjmë me përkushtim. E di që jo të gjithë e kemi fatin të jemi të përkushtuar dhe të korrim suksese. Ndonjëherë madje duket sikur mundi dhe rezultati nuk përputhen. Të gjithë kalojmë nëpër sfida. Megjithatë, një gjë është e sigurt: fati i prinë guximtarit. Kosova, ndonëse me gropa e gunga, ka prodhuar talent të hatashëm në çdo fushë. Sot kemi inovatorë në teknologji, mjekë seriozë, e sportiste kampione. Ky mjek; ky sportist; apo ky inxhinier i ardhshëm mund të jesh ti. Mos u ndal por gjithherë pyet, dëgjo, angazhohu”, ka shkruar Kastrati.

Ndryshe, 19 shkolla pritet të mbyllen në Kamenicë në muajin shtator, sipas vendimit të kreut të kësaj komune Qëndron Kastrati për shkak të gjendjes së keqe në të cilën ndodhen ato.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, në muajin maj ka deklaruar se do ta organizojë një referendum për reformimin e arsimit në komunën që udhëheq ai.

Ndonëse i pari i Kamenicës ka thënë se kjo reformë është në të mirë të arsimit në këtë komunë, ai e pranon se reforma mund të lërë pa punë një pjesë të mësimdhënësve aktualë.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka hedhur poshtë kërkesën e Kastratit për referendum për reformat në arsim.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka dalë kundër mbylljes së shkollave në Kamenicë.

Sipas SBASHK-ut, ky vendim i kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati është i ngutshëm dhe i pa analizuar fare dhe se do të sillte komplikime e përplasje.