Kryetari i Kamenicës komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për iniciativën e reformës në arsim

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë vendimin e MASHTI-it për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rahimaj ka thënë se as ndërtimi i kauzës politike e as qëndrueshmëria në politikë nuk mund të bëhet mbi kurrizin e të tjerëve dhe sipas tij aq më pak mbi fëmijët.

“As ndërtimi i kauzës politike e as qëndrueshmëria në politikë nuk mund të bëhet mbi kurrizin e të tjerëve, aq më pak mbi fëmijët. Duhet ta kemi të qartë se në politikë përfaqësohen interesa të qytetarëve dhe asnjëherë imazhe politike personale” ka shkruar Rahimaj.

Për iniciativën për reforma në arsim, Rahimaj ka thënë se komuna e Kamenicës është përballur me dëme të pariparueshme tek fëmijët në sistemin arsimor komunal.

“Komuna e Kamenicës është përballur me një iniciativë të pamenduar mirë, që nuk ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe ka prodhuar dëme të pa-riparueshme te fëmijët dhe në tërë sistemin arsimor komunal”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se ishin humbur 1,506 ditë mësim dhe mbi 78,475 orë mësim nga kjo iniciativa e reformës për arsim në komunën e Kamenicës.

“Ishin humbur 1,506 ditë mësim dhe mbi 78,475 orë mësim nga kjo iniciativë. Kjo gjendje do duhej të na shqetësojë të gjithëve, përveç atyre egove të sëmura për figura personale”, ka deklaruar Rahimaj.

Për vendimin të cilin e kishte marrë ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, Rahimaj ka treguar se nuk kishte asnjë interferim të brendshëm mbi organizimin e sistemit arsimor komunal.

“Vendimi nuk kishte asnjë interferim të brendshëm mbi organizimin e sistemit arsimor komunal. Përveç se kishte ofruar mësim alternativ ose të përshpejtuar për humbjet e mëdha që kishin pësuar 441 nxënës”, ka treguar Rahimaj.

“Vendimi i Ministres znj. Arbërie Nagavci, i datës 23.04.2021, ka siguruar një të drejtë, kushtetuese, ligjore e cila ishte mohuar nga ish pushteti për më shumë se 441 nxënës të Komunës së Kamenicës, apo 20% të tërësisë së nxënësve” shton ai.

Tutje, Rahimaj ka shpjeguar se në pak muaj të qeverisjes kanë larguar mbi 200 orë mësimore jo legjitime dhe 40 mësimdhënës që sipas tij ishin paguar me paga të plota pa u angazhuar fare.

“Ndërsa në pak muaj të qeverisjes kemi larguar mbi 200 orë mësimore jo legjitime dhe 40 mësimdhënës ishin paguar me paga të plota pa u angazhuar fare, që nënkuptohet se janë 800 orë mësimore jo legjitime brenda sistemit arsimor komunal”, ka shkruar Rahimaj.

Ai gjithashtu ka thënë se në muajin dhjetor të vitit të kaluar kanë pranuar një raport nga Inspektorati Regjional i Arsimit Brenda të cilit Rahimaj thotë se janë konstatuar shkelje ligjore.

“Në muajin dhjetor 2021, kemi pranuar një raport 182 faqësh nga Inspektorati Regjional i Arsimit, brenda të cilit janë 194 konstatime dhe 149 rekomandime. 58 pika të këtij raporti, ku janë konstatuar shkelje ligjore janë dorëzuar në organet e drejtësisë”, ka shpjeguar Rahimaj.

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore.

MASHTI humb rastin në Kushtetuese për vendimet e qeverisjes së Qëndron Kastratit në Kamenicë