Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Kryetari i Kamenicës fton organet shtetërore ta hetojnë rastin e vetëvrasjes së një të reje

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shprehur keqardhje për vetëvrasjen e një të reje në këtë komunë.

Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka thënë që izolimi për shkak të pandemisë COVID-19 po ka efekte negative në shoqëri.

“Vetëvrasja nuk është gjithmonë akt individual i izoluar nga dinamikat socio-ekonomike. Kështu, edhe vdekja e vajzës së re nga Kamenica na ka shqetësuar thellësisht. Gjendja e vështirë ekonomike bashkë me kushtet e izolimit, si pasojë e pandemisë kanë efekt negativ mbi psikologjinë e individit”, ka shkruar ai.

Kastrati ka thënë se duhet të solidarizohemi me njëri-tjetrin duke mos i shmangur vlerat pozitive njerëzore.

“Pa paragjykuar rastin në fjalë, sistemi vleror i shoqërisë sonë që përdorë turpërimin e dhunën si mjete diciplinimi të individëve, kur takohet me problemet në sistemin e drejtësisë mund të jenë fatale për jetën e njeriut.  Më shumë se kurrë është koha të solidarizohemi me njëri tjetrin duke mos i shmangur vlerat pozitive njerëzore, respektuar integritetin e dinjitetin e tjetrit, e vlerësuar jetën e grave” ka theksuar ai.

Tutje Kastrati ka ftuar organet shtetërore të hetojnë me seriozitet të lartë rastin e vetëvrasjes në Kamenicë.

Ndonëse Kastrati nuk e ka përmendur rastin konkretisht, fjala është për një vetëvrasje që ka ndodhur të shtunën në fshatin Poliqkë të Kamenicës.