Kryetari i Kamenicës apelon te qytetarët që ta evitojnë ujin për pije

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka reaguar pas lajmeve se uji në qytet është i kontaminuar.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka treguar se vetëm njëri nga puset me të cilin furnizohen për ujë të pijshëm ka rezultuar me kontaminim nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Sipas Kastratit, të gjitha puset e tjera mund të përdoren, vetëm se duhet të evitohet pirja e tij.

Pusi me ujin e kontaminuar është ndalur, ndërsa banorët që kanë puse private afër lumit Krivareka, Kastrati i ka lutur që të lajmërojnë “Hidromoravën” për analizimin e ujit.

“Njëri nga puset që furnizon një pjesë të qytetit të Kamenicës, ka dal të jetë ujë i kontaminuar. Fatmirësisht kemi ndërhyrë me kohë dhe tashmë uji është ndalur në të gjithë pjesët që furnizohen nga pusi në fjalë. Ndërsa puset e tjera kanë ujë brenda parametrave normale dhe pas pastrimit, kontrollit dhe vërtetimit të cilësisë së ujit, do të vazhdojmë me furnizim normal me ujë të pijshëm. Dyshimet e para janë që përveç shkaqeve natyrore (thatësirave të mëdha), mund të ketë edhe shkaktar të tjerë për çka do të bëjmë një hetim të hollësishëm për të gjetur të gjitha shkaqet dhe për të eliminuar çdo mundësi tjetër të përsëritje të problemit”, ka shkruar Kastrati.

Kastrati ka lutur familjet që nuk kanë furnizim me ujë, që  të vazhdojnë të furnizohen nga cisternat me ujë të KRU “Hidromorava”, duke kontaktuar në numrin e telefonit 044231767.