Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Junikut e pranon humbjen, jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së AAK-së

Kryetari aktual i Junikut nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi, e ka pranuar humbjen në garën për kryetar të Komunës dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së AAK-së në këtë komunë.

Pas humbjes për kryetar komune, Kuçi në reagimin e tij ka thënë se rezultati i zgjedhjeve është përgjegjësi e tij dhe për këtë jep dorëheqje të parevokueshme me qëllimin që dega të drejtohet nga një frymë e re.

“Rezultati në zgjedhje, ekskluzivisht është përgjegjësi  e imja dhe e askujt tjetër prandaj i vetëdijshëm për këtë, unë jap dorëheqje të  parevokueshme nga pozita e  kryetarit të Degës së AAK- së, me qëllimin më të mirë që Dega të drejtohet nga një frymë e Re, e që jam i bindur se Degës sonë në Junik nuk i mungon, përkundrazi potenciali që e kemi ngritur bashkarisht është shumë i madh dhe qëndron në lartësinë e duhur”, ka shkruar ish-kryetari në rrjetin social “Facebook”.

Rezultatet preliminare të shpallura nga KQZ tregojnë se kandidati i LDK-së, Ruzhdi Shehu, ka fituar zgjedhjet me 50.61% të votave në garën ku kundërkandidat e kishte anëtarin e AAK-së, Agron Kuçi, i cili ka fituar 49.39% të votave.

Të dhënat tregojnë që Shehu ka fituar 1,199 vota ndërsa Kuçi 1,170 vota.

Ky është njoftimi i plotë i Agron Kuçit:

Të dashur qytetarë të Junikut,

Bashkëvendas të respektuar!

Më lejoni që fillimisht të ju falënderoj për besimin që keni treguar me vite të tëra, në radhë të parë ndaj Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe mua si kryetar i Degës dhe kryetar i Komunës për 12 vjet me radhë, duke na bërë fitues (zgjedhje lokale dhe nacionale) në më shumë se 9 procese zgjedhore, pra, që nga viti 2009 e tutje!

Natyrisht se kjo besnikëri dhe punë e palodhshme e juaja e përshkuar me ndershmërinë më të lartë meriton konsideratën dhe respektin e përjetshëm. Prandaj nuk hezitoj ta them hapur se për të gjitha sukseset e arritura sot e 12 vjet për ta bërë Junikun tonë më të mirë e më të bekuar, ua dedikoj Juve, qytetarë të dashur, sepse e them pa modesti, ju jeni motivi dhe kryefjala e suksesit dhe të arritura të admirueshme të Komunës sonë të Re.

Rezultati i publikuar nga KQZ, tregon që ne nuk kemi fituar në garën për kryetar të Junikut. Ndaj, unë edhe njëherë dua t’i falenderoj nga zemra të gjitha strukturat drejtuese të Aleancës për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, aktivistët e simpatizantët tonë besnik, dhe gjithë qytetarët junikas, për kulturën e lartë dhe maturinë e treguar përballë një fushate të egër e linçuese ndaj meje dhe familjes sime. Koha ka për të dëshmuar këtë.

Faleminderit që na besuat  votën tuaj, duke na konfirmuar edhe kësaj radhe si partia e parë në Junik, përkundër rezultatit në  balotazh, të kampit rival, që ishin tri parti në koalicion të përbashkët (LDK, VV dhe PDK) përballë nesh, si parti e vetme!

Rezultati në zgjedhje, ekskluzivisht është përgjegjësi  e imja dhe e askujt tjetër prandaj i vetëdijshëm për këtë, unë jap dorëheqje të  parevokueshme nga pozita e  kryetarit të Degës së AAK- së, me qëllimin më të mirë që Dega të drejtohet nga një frymë e Re, e që jam i bindur se Degës sonë në Junik nuk i mungon, përkundrazi potenciali që e kemi ngritur bashkarisht është shumë i madh dhe qëndron në lartësinë e duhur.

Unë, ju siguroi se do të jemi si gjithnjë bashkë, sonte nesër e përgjithmonë në jetën përditshme, ne punë, në gëzime e  hidhërime, dhe në proceset e sfidat e  radhës!

Sepse Juniku ynë i zemrës qëndron mbi të gjitha.

Udhëheqjes së re të Komunës i dëshiroj punë të mbarë dhe suksese!

Zoti ruajt dhe bekoftë  qytetarët dhe komunën e Junikut !

Ju Faleminderit nga zemra!

I juaji përgjithmonë!

AgronKuçiJunik