Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Istogut raporton në Polici se i kanë hyrë hajnat në shtëpi, thotë se i kanë vjedhur para dhe stoli ari

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, ka raportuar në Policinë e Kosovës se të premten me 06.12.2024 i kanë hyrë hajnat në shtëpinë e tij në fshatin Gurrakoc, duke i vjedhur para të gatshme dhe stoli ari.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vet Ferati dhe zëdhënësi i Policisë në Pejë, Fadil Gashi.

Kur u kontaktua, Ferati përmes telefonit tha se ishte me agjentë të Policisë së Kosovës duke u marrë me këtë rast.

“Po, e vërtetë është. Me të thanë të drejtën është vjedhë stoli ari të nuses time edhe një pjesë e mjeteve [para] të vëllaut” – ka thënë Ferati.

Sipas tij, shuma e vjedhur nga të dyshuarit nuk dihet dhe nuk është siç po raportohet në media.

Ferati ka treguar se rasti ka ndodhur mbrëmjen e të premtes, më 06.12.2024.

“E kam raportu në momentin që kam hy në shpi edhe e kam pa që ka vandalizëm, thymje, dëmtim… Po supozoj unë, prej orës 17:30 deri në orën 19:00 në atë interval kohor” – ka shtuar Ferati.

Kurse, Fadil Gashi nga Policia e Kosovës tha se është inicuar rast “vjedhje e rëndë” dhe se policët dhe hetuesit kanë dalur në vendin e ngjarjes. Ai tha se ende nuk e di shumën e saktë që pretendohet se është vjedhur.