Haki Rugova. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shpjegimi i Haki Rugovës pse njerëzit e LDK-së marrin tenderë

Sonte në emisionin “Jeta në Komunë” kryetari i Istogut, Haki Rugova, u përball me  hulumtimin në të cilin vihej në pah dhënia e tenderëve për drejtorët komunalë dhe simpatizantët e LDK-së.

Në lidhje me dhënien e këtyre tenderëve ku përfitues kanë qenë anëtarët e LDK-së dhe simpatizantë të kësaj partie, i pari i Komunës ka thënë se nuk ka shkelje.

“Çka ka të bëjë me konflikt interesi këtu, çka ka lidhje, a ka shkelje këtu? Unë nuk e shoh që ka shkelje”, tha Rugova.

Në këtë emision u vu në pah se kompania “Intering Construction”, në pronësi të  vëllait të drejtorit të Arsimit Harush Shoshi, ka fitur tenderë në Komunë.

Kjo kompani ka fituar tenderin për furnizim me material ndërtimor për rastet emergjente. Vlera e kësaj kontrate është 55 mijë euro.

Tenderë ka fituar edhe kompania në të cilën punon drejtori i Urbanizmit, Jashar Blakaj.

Kompania “Granit Sh.P.K”, ka fituar tenderin për asfaltimin e rrugës në Dubravë, tenderin për asfaltimin e rrugës Istog – Cerrcë, tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve dhe tenderin për asfaltimin e rrugës “Jakup Ferri”. Vlera e këtyre katër projekteve është rreth 400 mijë euro.

Hulumtimi tregon se përfitues me tenderë është edhe simpatizanti I LDK-së, Muhamet Metaj, kompania e të cilit ka fituar 33 tenderë.

Javë më parë KALLXO.com publikoi një hulumtim të gjatë për Komunën e Istogut në të cilën u shfaqën shumë probleme të kësaj komune.

Hulumtimin mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.