Foto: Facebook

Kryetari i Gostivarit thërret shqiptarët e Maqedonisë së Veriut ta votojnë Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që ta votojnë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Pasi që Kurti ka qëndruar dje në Maqedoni, Taravari përmes një postimi në Facebook e ka cilësuar Kurtin si “ilaç” për gjendjen e Kosovës.

“Për të shpëtuar veten dhe familjet tona duhet të bashkohemi të gjithë për të ndërhyrë në largimin e këtij Kanceri që gjendet në zyrat qeveritare! Duke filluar nga Kosova e duke vazhduar në Maqedoni ka filluar aksioni, ka filluar Pranvera Shqiptare! Në emër të saj bëj thirrje që të gjithë shqiptarët e Maqedonisë të mbështesin në Kosovë VETVENDOSJEN”, ka shkruar Taravari.

 Ky është postimi i plotë i tij:

Fatkeqësisht, kanceri është një nga diagnozat më agresive që kur vjen është i domosdoshëm për t’u luftuar sa më shpejt, ndryshe të merr jetën!
Mjekësia këshillon analiza sistematike për të qënë gjithnjë në kohë që të detektojmë ndonjë grup qelizash kancerogjene që më pas mund të shkatërrojnë gjithë trupin e individit!
Nëse do të hiqnim një paralele në politikë, le të themi që gjëndja e popullit dhe insitucioneve shtetërore janë përgjigjia e analizave, dhe për fat të keq tonin e të fëmijëve tanë, ne kemi një sëmundje kancerogjene dhe ajo është KRIMKARCINOMA.
Metastazat e saj janë agresive dhe po asgjësojnë jetë njerëzish duke mos kursyer as fëmijët. Lajmi i shkëlqyer është se ne e dimë si t’a shkatërrojmë këtë kancer dhe më mirë se kaq, ne mundemi t’a shkatërrojmë!
Për të shpëtuar veten dhe familjet tona duhet të bashkohemi të gjithë për të ndërhyrë në largimin e këtij Kanceri që gjendet në zyrat qeveritare!
Duke filluar nga Kosova e duke vazhduar në Maqedoni ka filluar aksioni, ka filluar Pranvera Shqiptare!
Në emër të saj bëj thirrje që të gjithë shqiptarët e Maqedonisë të mbështesin në Kosovë VETVENDOSJEN!
Me fitoren e saj në Kosovë do të bëhet hapi më i madh drejt shpëtimit të familjeve tona, drejt shpëtimit nga kanceri pushtetar që po na kërcënon jetën!
Më pas punët do te jenë më të lehta për në Maqedoni dhe do të largojmë dhe ne metastazën nga qeveria!
Le të fitojë Vetvendosja në Kosovë, le të dalë Dielli për Shqiptarët!

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës do të mbahen me 6 tetor. Deri te zgjedhjet erdhi pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në këto zgjedhje do të votojnë vetëm personat që kanë dokumente të Kosovës.