Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme

Kryetari i Gjykatës Supreme vlerëson raportin ‘Imuniteti i Korrupsionit’ të hartuar nga BIRN dhe Internews Kosova

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, ka thënë se raporti vjetor i monitorimit të gjykatave ‘Imuniteti i Korrupsionit’ është një raport që precizon se të dhënat e tilla të mbledhura janë ndihmesë për sistemin gjyqësor.

BIRN Kosova dhe Internews Kosova sot kanë publikuar raportin vjetor të monitorimit të gjykatave për vitin 2021, i cili ka në fokus analizën e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit gjatë vitit 2021.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Peci duke vlerësuar raportin e publikuar, i cili ka në fokus analizën e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, theksoi nevojën që në të ardhmen të vendosen modalitete të caktuara në bazë të të cilave do të analizohet zbatimi i udhëzuesit të Gjykatës Supreme për politikë ndëshkimore, në mënyrë që organizatat që monitorojnë sistemin gjyqësor të mos dalin me gjetje të ndryshme për të njëjtat çështje.

“Kreu i Supremes e vlerësoi raportin e BIRN, duke precizuar se të dhënat e tilla janë ndihmesë për angazhimin e tij si kryesues i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, në mënyrë që çdo gjetje të merret parasysh dhe të lehtësojë punën e këtij Komisioni”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Supreme.

Ai sqaroi para të pranishmëve se udhëzuesi i Gjykatës Supreme për politikë ndëshkimore po merret shembull dhe po kërkohen udhëzime edhe nga vendet e rajonit.

Ai po ashtu bëri me dije se ka zhvilluar takime me gjyqtarë të degëve penale në të gjitha gjykatat themelore prej të cilëve ka marrë zotime për zbatim të udhëzuesit, ndërkohë që nuk përjashtoi mundësinë që në të ardhmen ky udhëzues të jetë obligativ.

Ndërsa kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se tema e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit zë një rëndësi të veçantë në punën dhe proceset për reformimin e mëtutjeshëm të sistemit gjyqësor të vendit.

“Me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave në trajtimin e lëndëve kundër korrupsionit, KGJK ka miratuar Strategjinë për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitet 2022 -2024 si dhe Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor”, tha mes tjerash kryesuesi Zogaj.

Raporti titullohet “Imuniteti i Korrupsionit” dhe në të janë analizuar aktgjykimet dënuese të 40 rasteve të korrupsionit të nxjerra gjatë vitit 2021.

Ky raport i monitorimit fokusohet në analizimin e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës gjatë vitit 2021.

Raporti tregon se si gjykatat e Kosovës në rastet e korrupsionit nuk kanë zbatuar politikë ndëshkimore në përputhshmëri me udhëzuesit e nxjerrrë nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Raporti nxjerr në pah dënimet e ulëta te rastet e korrupsionit dhe rrethanat të cilat janë marrë parasysh për shqiptimin e dënimeve më të ulëta.

Pos tjerash ky raport trajton numrin e madh të rrethanave lehtësuese që merren për bazë karshi atyre rënduese në rastet penale të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit.

Po ashtu raporti shpërfaq se në aktgjykimet e gjykatave për rastet e korrupsionit nuk kemi arsyetim të rrethanave rënduese dhe atyre lehtësuese.

Të pranishëm në konferencën për publikimin e raportit ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

 BIRN dhe Internews Kosova publikojnë raportin: Imuniteti i Korrupsionit