Kryetari i Gjilanit i shkarkoi, Komisioni Vlerësues thotë se kanë bërë vlerësim profesional

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka shkarkuar një komision vlerësues që kishte të bënte me vlerësimin e projekt propozimeve për mbështetje financiare për OJQ-të nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Shkarkimi erdhi pas disa raportimeve për konflikt të mundshëm të interesit mes anëtarëve të Komisionit dhe organizatave përfituese në këtë thirrje.

Për këtë, anëtarët e këtij Komisionit Vlerësues kanë mbajtur sot një konferencë për media.

Anëtari i këtij komisioni, Burim Demiri tha se si Komision kanë respektuar rregulloret për vlerësimin e organizatave dhe kanë bërë vlerësim profesional

“Si përfaqësues i Komisionit Vlerësues i Thirrjes publike për financim të OJQ në kuadër të Drejtorisë për Kulturë në Gjilan konstatojmë se ne si komision kemi respektuar rregulloren e prezantuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, ku kemi vlerësuar në mënyrë profesionale dhe të paanshme të gjitha aplikacionet”, tha ai.

Ai shtoi se asnjë nga anëtarët e Komisionit nuk ka bërë shkelje ligjore.

“Konstatojmë fuqishëm se asnjëri nga anëtarët e Komisionit nuk ka bërë shkelje ligjore, paraprakisht komisioni bënë vetëm vlerësimin dhe i njëjti nuk ndanë mjete monetare. Sa i përket aludimit për konflikt të interesit, Drejtoria për Kulturë,  Rini dhe Sport ka paraparë konfliktet eventuale andaj është propozuar anëtari rezervë si në rastin tonë”, tha Demiri.

Anëtari i Komisionit tha se për të vërtetuar këtë ftojnë edhe Auditorin që ta shikojnë dokumentacionin në komunë.

“Rekomandojmë që vlerësimi të konsiderohet i rregullt, ku do të publikojmë të gjitha rezultatet e të gjithë aplikantëve në rrjetet sociale për hir të disa organizatave”, tha ai më tej.

Thirrja publike për mbështetjen financiare të OJQ-ve nga Komuna e Gjilanit ishte hapur më 11 shkurt të këtij viti.

Kurse, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka emëruar komisionin vlerësues më 7 mars me këtë përbërje: Armend Misini, Enkelejda Arifi, Saranda Rashiti, Fisnik Isufi, Burim Demiri dhe Genc Mustafa – anëtar rezervë.

Lista preliminare e organizatave përfituese më pas është bërë publike më 23 mars 2022.

KALLXO.com më 28 mars ka bërë kërkesë për qasje në dokumentacionin e këtij konkursi dhe është në pritje të dosjes.