Kryetari i fshatit Mirash i reagon drejtorit të Infrastrukturës në Ferizaj, për asfaltimin e rrugëve në këtë fshat
Kryetari i fshatit Mirash të Ferizajit, Taip Bytyqi ka reaguar ndaj drejtorit të Infrastrukturës në këtë Komunë.
Reagimi i Bytyqit vjen pas transmetimit të debatit ‘Jeta në Komunë’, me ç’rast Hajdini përmendi Kryetarin e Mirashit – kur u përball me opozitën për shtrimin e disa rrugëve në këtë fshat.
Hajdini deklaroi në debat se ndryshimet në Projekt për shtrimin e rrugëve në këtë fshat, erdhën pas Kërkesës së Kryetarit të fshatit e disa banorëve.
Bytyqi deklaratat e Hajdinit i quan ‘të pavërteta’.
“Deklaratat dhe pretendimet e drejtorit të Infrastrukturës z.Hajdini janë të pavërteta e të pabaza. E papranueshme dhe se dëmtojnë personalitetin tim si Kryetar i fshatit, e përfaqësues i banorëve. Pas shfaqjes së këtij Emisioni, janë ngritur shumë shqetësime nga bashkëfshatarët – lidhur me pretendimet e bëra nga Drejtori i sipërcekur, i cili tekstualisht deklaron se me Kërkesën e Kryetarit të fshatit Mirash, nuk janë asfaltuar këto rrugica.” – thotë Bytyqi në reagim.
Tutje, Bytyqi thotë se dëshiron të sqarojë bashkëfshatarët se nuk qëndrojnë deklaratat e drejtorit të Infrastrukturës, Meriton Hajdinit.
“Si Kryetar fshati sqaroj se asnjëherë nuk kam bërë Kërkesë për revidim të Projektit dhe nuk kam zhvilluar asnjë takim me drejtorin e Infrastrukturës, M.Hajdini – lidhur me këto çështje.” – deklaron, tutje, Bytyqi.
I kontaktuar nga KALLXO.com rreth kësaj çështjeje, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini ka deklaruar se nuk punojnë – pa u dakorduar me Kryesinë e fshatit e banorët.
“Ne asnjëherë, jo vetëm në fshatin Mirash, por në secilin fshat që punojmë, nuk punojmë pa dakordimin me Kryesinë e banorët e fshatit. Edhe në fshatin Mirash, ka ndodhur po e njëjta. Jemi konsultuar dhe ka qenë si Kërkesë e tyre, që me u asfaltu rrugicat e shkurta, që prekin secilën familje dhe me u largu një rrugicë më e gjatë. Jo, specifikisht, ndoshta ajo me emër. Por, ajo i ka mbulu krejt këto tjerat me u shtru dhe ka qenë kjo arsyeja – që është bërë revidimi i Projektit.” – tha Hajdini, për KALLXO.com, më 09.12.2024.
Në emisionin ‘Jeta në Komunë’, të publikuar më 01.12.2024, në debatin në Asamblenë Komunale të Ferizajit, drejtori i Infrastrukturës Meriton Hajdini u përball me deklaratat e Flamur Istrefit nga LDK, i cili tha se në dokumente disa rrugë në fshatin Mirash janë të shtruara – por, në realitet ato janë të paasfaltuara.
“Për rastin në Mirash, si LDK kemi bërë edhe kallxim penal, për faktin se rrugët e rrugicat në fshatin Mirash, te Hashanët e te Raçtë, në letra e urdhërpagesa, rezultojnë si të përfunduara. Në realitet, ato rrugë nuk janë asfaltuar asnjëherë.” – deklaroi Istrefi, në ‘Jeta në Komunë’.
Hajdini, në kundërpërgjigje, deklaroi se ndryshimet në Projekt janë bërë me Kërkesë të Kryetarit të fshatit e banorëve.
“U cek asfaltimi i rrugëve në fshatin Mirash. Në këtë fshat, janë asfaltuar të gjitha rrugët – sipas Kontratës. Me Kërkesën e Kryetarit të fshatit e banorëve të fshatit, është kërkuar që me u bë revidimi i Projektit – me ndryshu, me u asfaltu të gjitha rrugicat dhe me u hek një rrugë më e gjatë. Rruga e Varrezave. Është Raporti i ndryshimit në fshatin Mirash.” – kishte thënë gjatë debatit, drejtori Meriton Hajdini.