Kryetari i Ferizajt ngushëllon familjarët e viktimave të aksidentit të sotëm

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka ngushëlluar familjarët e viktimave që humbën jetën në një aksident trafiku që ndodhi sot në magjistralen Ferizaj-Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare të Ferizajt.

Aliu në telegram ngushëllimin ka shkruar se presin që sa më parë të zbardhen shkaqet që çuan në aksident dhe ka apeluar për shtim të kujdesit në trafik.

“U trondita kur mësova lajmin se në rrugën magjistrale Ferizaj-Shtime, saktësisht në fshatin Koshare, sot, ndodhi një aksident me përmasa tragjike, e ku humbën jetën 4 qytetarë dhe një u lëndua rëndë. Të pikëlluar jemi sot të gjithë, nga ky aksident tragjik. Jemi me familjarët e viktimave në këto orë të rënda për to. Presim që sa më parë të zbardhen shkaqet që çuan në aksident dhe apelojmë për shtim të kujdesit në trafik.  Njëkohësisht i urojmë shërim të shpejtë të lënduarit nga ky aksident. Ngushëllime të sinqerta familjarëve, miqve e të njohurve të viktimave që humbën jetën sot tragjikisht në këtë aksident rrugor” përfundon telegrami i ngushëllimit.

Katër të vdekur dhe një i lënduar rëndë ka mbetur si pasojë i një aksident trafiku në magjistralen Ferizaj-Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare të Ferizajt.