Agim Aliu - Foto: Facebook/ Agim Aliu

Kryetari i Ferizajt i shqetësuar nga numri i madh i qytetarëve në rrugët e qytetit

Kryetari i Komunës së Ferizajt , Agim Aliu, ka shprehur shqetësimin për numrin e madh të personave nëpër sheshe dhe qarkullimin e shtuar të veturave.

Aliu në një reagim ka thënë se karantina u hoq por jo edhe masat mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

“Sheshet plot, rrugët me qarkullim të shtuar të veturave, shetitjet me bicikleta, daljet e panevojshme rrezikojnë një shpërthim të ri masiv të virusit mes nesh”, ka thënë kryetari i Komunës.

Ai ka lutur qytetarët e Ferizajt që të kenë kujdes e të mos e kthejnë në zero përpjekjen e profesionistëve dhe ekipeve emergjente që kanë menaxhuar me COVID-19.

Tutje kryetari Aliu u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë orarin e qarkullimit sipas ndarjes kohore në bazë të numrit personal të letërnjoftim, të mbahet distanca fizike si dhe kujdesin për higjienën personale.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që para se të hedhin hapin jashtë shtëpisë, ta kenë mendjen te familja, te rreziku që i kërcënon nga çdo dalje e panevojshme.