Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës intervistohet në Polici si i dyshuar për dhunë në familje

Burime të KALLXO.com kanë bërë të ditur se kryetari i Autoritetit te Konkurrencës, Valon Prestreshi dyshohet se ka kryer veprën penale dhunë në familje.

I njëjti është intervistuar edhe nga Policia e Kosovës në cilësinë e të dyshuarit, por që është liruar me procedurë të rregullt.

Prestreshi i kontaktuar nga KALLXO.com e ka pranuar se është intervistuar nga zyrtarët policor por që i mohon akuzat për dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas së tij.

“Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë, d.m.th. asnjëherë nuk kam ushtruar dhunë psikike apo fizike ndaj gruas sime. Nuk e di nga kanë rrjedhë këto informata, por nuk qëndrojnë. Po kemi qenë në Polici, po çdo sen është sqaru, është në rregull. Kemi shku mbi bazën e asaj që po thoni ju [dhunë fizike dhe psikike]. Nuk ka kurrfarë procedure, në shtëpi jam me fëmijë”, tha Prestreshi.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka provuar që të marr një përgjigje edhe nga Prokuroria, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk na janë përgjigjur.