Lajm i Fundit, Coronavirus

Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës del pozitiv me COVID-19

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka njoftuar se ka dalë pozitiv me virusin COVID-19.

“Ju njoftoj se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke punuar me kapacitete të kufizuara, meqë unë jam testuar pozitivisht me virusin COVID-19”, ka shkruar Prestreshi në Facebook.

Ai ka treguar se sapo i është konfirmuar rezultati dhe se ka njoftuar edhe kolegët e AKK-së, të cilët tashmë janë testuar dhe janë në pritje të rezultateve.

“Përveç tyre, kam njoftuar edhe personat e tjerë më të cilët kam pasur kontakt këto ditë”, ka thënë Prestreshi.

Më tej, kryetari i AKK-së ka thënë se do të punojnë nga shtëpitë tyre duke respektuar rekomandimet e autoriteteve përgjegjëse.

“Gjithsesi, mbesim të përkushtuar që edhe në këto kushte t’i kryejmë me përgjegjësi detyrat që na takojnë”, ka shtuar Prestreshi.

Në fund ai ka njoftuar se gëzon shëndet të mirë dhe aktualisht vetizoluar në shtëpinë e tij dhe po respekton udhëzimet e autoriteteve shëndetësore për ta tejkaluar këtë situatë.

“Uroj që të gjithë kolegët e AKK-së të jenë mirë më shëndet dhe sa më shpejt t’i rikthehemi punës në kushte normale”, ka përfunduar ai.

Nga 13 marsi kur në Kosovë është shënuar rasti i parë me COVID-19, e deri më sot janë regjistruar 1326 të infektuar, 920 të shëruar dhe 31 të vdekur.

Në botë gjithsej janë infektuar mbi 7.6 milionë persona, mbi 424 mijë të vdekur dhe mbi 3.8 milionë të shëruar.