Kryetari i Apelit, Hasan Shala me kritika ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës

 

Hasan Shala në konferencën e tij të fundit si kryetar i Gjykatës se Apelit shpalosi punën dhe rezultatet gjashtëmujore të këtij viti më ç`rast hodhi edhe kritika mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Shala tha se vitin 2021 e kanë nisur me 10811 lëndë dhe se gjatë këtij viti i janë shtuar edhe 9120 të tjera, që sipas tij është numri më i lartë i lëndëve të pranuara ndonjëherë.

“Gjykata e Apelit në vitin 2021 ka hyrë me 10811 lëndë të cilat janë bartur prej viteve të mëparshme. Gjatë kësaj periudhe raportuese i kemi pranuar edhe 9120 lëndë, numër ky më i lartë se ndonjë numër i regjistruar ndonjëherë. Në punë totale kemi pasur 19931 lëndë, nga to janë zgjidhur 7812 lëndë ndërsa në procedurë janë edhe 12120 lëndë”, tha Shala.

Ai tha se numri më i madh i lëndëve të mbetura janë të natyrës civile. Fajin për rritjen enorme të lëndëve në civile kryetari Shala ia hodhi Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Problemi se pse nuk kryhen këto lëndë është Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe paaftësia e tij për të plotësuar pozitat e lira të gjyqtarëve në Gjykatë të Apelit. Aktualisht kemi në mungesë 11 gjyqtare më pak. Ne kemi kërkuar që të rritet numri mirëpo fatkeqësisht Këshilli Gjyqësor nuk ka vepruar me kohë”, tha Shala.

Shala gjithashtu gjatë kësaj konference foli edhe për çështjen e lëndëve të korrupsionit dhe punën e Gjykatës së Apelit në zgjidhjen e këtyre lëndëve.

“Në vitin 2020 kemi hyrë me 20 lëndë të pazgjidhura, në këtë vit kemi pranuar 39 lëndë, ku në total kemi pasur 59 lëndë, ndërsa janë kryer 45 lëndë, vazhdojnë të mbesin në procedurë edhe 14 lëndë dhe shumica këto lëndë janë të ardhura në javët e fundit”, tha Shala.