Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miraton vendimin për tërheqjen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës- Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Kryetari i AKK-së deklarohet pas tërheqjes së Komunave veriore, thotë se anëtarësimi bazohet në vendimin e lirë të secilës komunë
Qysh në fillim të mbledhjes së rregullt të Kuvendit Komunal, të mbajtur, sot më, 18.12.2025, kërkesa e Kryetarit, Milan Radojeviq ishte tërheqja e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
“Sa i përket kësaj pike të rendit të ditës, propozoj largimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Çdo aderim i mëtejshëm në ndonjë asociacion tjetër apo vendim i ngjashëm duhet të vendoset nga vetë qytetarët. Qytetarët na kanë dhënë mandatin, qytetarët na kanë dhënë besimin, ne punojmë në interes të qytetarëve. Prandaj i ftoj të gjithë këshilltarët të votojnë për daljen e Komunës së Mitrovicës së Veriut nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.”- tha ai.
Propozimi i Kryetarit u miratua nga Kuvendi Komunal.
“Me 11 vota pro, 2 vota kundër dhe asnjë votë abstenim, me propozim të kryetarit të komunës Milan Radojeviq, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka miratuar vendimin për daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Urime!”- potencoi Kryesuesi i zgjedhur, Nemanja Bishevac.
Kundërshtime kishte nga zëvendëskryesuesja Aida Ferati- Doli dhe nga asambisti i PDK-së, Emir Azemi.
Asamblistja e zgjedhur e LVV-së tha se kjo kërkesë do të duhej të bëhej paraprakisht me shkrim.
Ndërsa se priste ndonjë kërkesë për të mirën e qytetit nga Kryetari e tha asamblisti nga rradhët e PDK-së, Emir Azemi.
“Kam pritur se do të vijë me ide inovative pasi kemi probleme më të mëdha. Kam pritur që do të formojë një komision se cilat janë kërkesat e qytetit dhe qytetarëve. Gjithsesi është një organ tjetër që e kthen ligjshmërinë e çdo vendimi. Është mirë të kemi zhvillim, prosperitet e ekonomi për të gjithë qytetarët.”- tha Azemi.
Theksojmë se asnjëri nga ta nuk e votuan propozimin e Kryetarit.
Për votimin e katër komunave veriore të Kosovës për t’u tërhiqur nga Asociacionit të Komunave të Kosovës, u deklarua Kryetari, Sazan Ibrahimi.
Ai tha për KALLXO.com se, Asociacioni i Komunave të Kosovës është organizatë vullnetare, anëtarësimi në të cilën bazohet në vendimin e lirë dhe autonom të secilës komunë, në përputhje me Statutin e AKK-së dhe parimet e vetëqeverisjes lokale.
“Misioni i AKK-së mbetet i pandryshuar: përfaqësimi i interesave të komunave të Republikës së Kosovës, fuqizimi i vetëqeverisjes lokale dhe avancimi i shërbimeve për qytetarët, pa dallim partie apo etnie.”- tha Ibrahimi.
Sipas tij, gjatë gjithë veprimtarisë së saj, AKK ka qenë dhe vazhdon të jetë platforma kryesore e bashkëpunimit ndërkomunal, duke ofruar: përfaqësim institucional të komunave në nivel qendror dhe ndërkombëtar, mbështetje profesionale dhe ligjore për komunat, ngritje të kapaciteteve përmes trajnimeve dhe kolegjiumeve profesionale, zbatim të projekteve të rëndësishme me mbështetje të partnerëve ndërkombëtar dhe shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira në qeverisjen lokale.
“AKK mbetet e përkushtuar të punojë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë për forcimin e demokracisë lokale, transparencës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivel komunal. Asociacioni i Komunave të Kosovës do të vazhdojë aktivitetet e tij në përputhje me mandatin statutor dhe interesin e përgjithshëm të vetëqeverisjes lokale në Kosovë.”- potencoi ai.
Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.
Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.
Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptar.