Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi Foto: Facebook

Kryetari i AKK-së: Deklaratat e deputetëve për pushim ditën e diel, anti-kushtetuese

Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se deklaratat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës në lidhje me atë se bizneset nuk duhet të punojnë të dielën janë anti-kushtetuese.

“Shteti ynë me Kushtetutë, rregullimin ekonomik e parasheh sipas ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë dhe ne si institucion jemi për ta zbatuar këtë dispozitë kushtetuese. Andaj, deklarimet e përfaqësuesve të Kuvendit se të dielen bizneset nuk duhet të punojnë  është tejet shqetësuese dhe në kundërshtim të plotë me politikat e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë”, ka thënë Prestreshi.

Tutje ai ka treguar se do të i drejtohet me letër Kryeparlamentares Vjosa Osmani në lidhje me këto deklarata.

“Ne si institucion i pavarur i Kuvendit do t’iu drejtohemi Kryetares së Kuvendit për ta njoftuar atë, se deklaratat e tilla të deputetëve të Republikës së Kosovës janë anti – kushtetuese”, ka shkruar tutje ai.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka kërkuar që dita e dielë të bëhet ditë pushimi. Këtë kërkesë Bunjaku e ka shprehur në rrjetin e saj social në “Facebook” disa ditë më parë.

“E diel, të bëhet ditë pushimi në Gjilan. Vërtet, dita e diel, duhet të bëhet ditë pushimi edhe në Gjilan. Punëtorët duhet të kenë pushim të mjaftueshëm, kohë të lirë për familjet e tyre dhe të argëtohen. 40 orë në javë, mjaftojnë. 8 orë punë, 8 gjumë dhe 8 pushim në ditë. Një jetë kemi dhe duhet jetuar të gjithë me dinjitet. Çdo të diele pushim, edhe në qytetin tonë”, ka shkruar ajo në Facebook, disa ditë më parë.