Burimi i fotos: Brahim Mehmetaj
Kryetari i AAK-së në Prishtinë intervistohet tetë orë nga Gjykata Speciale
Brahim Mehmetaj, ish-ushtar i UÇK-së dhe kryetari i AAK-së në Prishtinë, është intervistuar gjatë ditës së djeshme nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Mehmetaj, është intervistuar nga Prokurori i Specializuar në Prishtinë gjatë ditës së djeshme më saktësisht në ish-zyret e EULEX-it, në cilësinë e të dyshuarit.
Florin Vërtopi avokati mbrojtës i Mehmetajt tha për KALLXO.com se, Mehmetaj ishte intervistuar nga ora 9 në mëngjes deri në orën 17:30 pasdite.
“Po kanë qenë disa procedura të cilat janë ndjekur i dini këto procedurat e Gjykatës Speciale. Unë e mbroj Brahim Mehmetajn, dje ne ishin në zyret e Prokurorit të Specializuar dhe Mehmetaj është intervistuar për 8 orë e 30 minuta pra nga ora 9 deri në orën 17:30. Ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Po ai nuk është mbrojtur në heshtje por është deklaruar për pyetjet nga ana e Prokurorit të Specializuar.Në ekip mbrojtës të Mehmetaj ka qenë edhe avokati Engjëll Vërtopi”, tha Vërtopi për KALLXO.com.
Mehmetaj me 17 dhjetor kishte njoftuar se i kishte shkuar ftesa nga Dhomat e Specializuara pranë Gjykatës Speciale.
Me anë të një postimi në rrjetin sociale “Facebook” Mehmetaj kishte thënë se do t’i përgjigjej ftesës ndërsa formimin e kësaj gjykate e ka quajtur të padrejtë dhe të njëanshme.