Kryetari Erden Atiq reagon për sulmin ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicë të Veriut

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq ka reaguar lidhur me sulmin ndaj dy qytetarëve shqiptarë të cilët u sulmuan sot nga persona të dyshuar në Mitrovicë të Veriut.

Atiq ka thënë se veprimet e tilla kriminale janë të papranueshme dhe të dënueshme.

“Akti i dhunës ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut, i shfaqur tashmë edhe përmes videos, shpërfaqë veprimet e grupeve kriminale që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve për vite me radhë. Veprimet e tilla kriminale janë të papranueshme dhe të dënueshme. Qyteti ynë ju përket të gjithë qytetarëve dhe asesi bandave kriminale që tentojnë ta mbajnë dhunshëm kontrollin mbi të”- ka thënë Atiq.

Ai u ka uruar shërim të shpejtë dy të lënduarve, ndërsa ka thënë se pret zbardhjen e rastit nga organet kompetente dhe sjelljen e kriminelëve të tillë para drejtësisë.

KALLXO.com ka siguruar pamjet të momentit të sulmit ndaj tyre dhe sjell videon ekskluzive.

Në momentet e sulmit, pak metra më larg shihen edhe karabinerët italianë, të cilët nuk ndërhyjnë ndonëse qytetarët sulmohen rëndë nga të dyshuarit.

Policia e Kosovës ndërkaq ka intervenuar në këtë rast.

Dy qytetarët shqiptarë pësuan lëndime nga sulmi dhe morën trajtim mjekësor.

Policia në një komunikatë për media theksoi se “viktimat janë sulmuar nga një grup kriminelësh” të cilët kanë qenë të maskuar dhe të organizuar për sulmin e kryer.