Kryetari Bahtiri sjell trenin rekreativ në Mitrovicë

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se kryetari Agim Bahtiri bashkë me fëmijë të një institucioni parashkollor kanë realizuar një xhiro me auto-trenin që tani e tutje do jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, së bashku më nënkryetarin Faruk Mujka si dhe drejtorin për Arsim, Skender Avdiu, të shoqëruar nga fëmijët e institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë”, kanë realizuar një xhiro me auto trenin i cili tani e tutje do të jetë në shërbim për të gjithë qytetarët e Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna në njoftim thekson se ky tren do jetë një atraksion për qytetin.

“Fëmijët dhe të pranishmit e tjerë u shprehën të lumtur që Mitrovica tani posedon një tren të tillë i cili do të ofrojë një atraksion të ri në qytet, sidomos në këto ditët e bukura të verës ku qytetarët mund të shijojnë shëtitjen me tren”, thuhet tutje në njoftim.

Ky tren pritet të  parakalojë çdo ditë nga sheshi kryesor i qytetit deri tek Liqenit Akumulues, ndërsa nisja do të bëhet çdo dy orë duke filluar nga ora 09:00.

Çmimi i biletës do të jetë 50 centë për person dhe mund të shfrytëzohet nga të gjitha grupmoshat.

Sipas njoftimit të Komunës, treni aktual posedon katër vagonë ndërsa varësisht nga interesimi mund të plotësohet me vagonë të tjerë.