Kamerat në rrugën drejt Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Kryetarët e komunave veriore demantojnë Policinë: Nuk i kontrollojmë kamerat

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për KALLXO.com se kamerat e vendosura në lokacione të ndryshme në komunën e Zveçanit kontrollohen dhe janë në monitorim nga kjo Komunë.

Të kundërtën nga zëvendësdrejtori Hoti e ka thënë kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq.

KALLXO.com për disa ditë me radhë ka udhëtuar drejt katër komunave në veri të Kosovës me qëllim që të lokalizojë disa kamera të vendosura ditëve të fundit e që pretendohet se kontrollohen nga strukturat paralele të vendosura nga Beogradi në veri të vendit.

Këto kamera të sigurisë nuk kontrollohen e as menaxhohen në asnjë moment nga institucionet e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë-Veri, Besim Hoti, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se këto kamera janë të Komunës.

“Kamerat e vendosura janë nën kontrollin e Komunës së Zveçanit, monitorimi dhe përcjellja e kamerave ndodhet në hapësirat e Komunës”, thuhet në përgjigjen e Hotit.

Të kundërtën e ka thënë kryetari i Zveçanit, Dragisha Miloviq.

“Jam interesuar me bashkëpunëtorët dhe kam marrë informata për kamerat dhe për dhomën që po flet ti. Ekziston (një kamerë) por ajo i përcjell lëvizjet brenda ndërtesës së Komunës, ndërsa për rrugë dhe të tjera nuk janë te ne”, tha Miloviq, kryetar i Zveçanit.

Kryetari Miloviq ka përmendur disa herë se kanë kontroll mbi kamerat që janë të vendosura vetëm në Komunë.

“Për ato nuk e di se kush dhe a funksionojnë ato”, u përgjigj Miloviq kur u pyet për kamerat tjera të sigurisë të vendosura në rrugët e Zveçanit.

Kamerat në rrugën drejt Zveçanit, Foto: KALLXO.com

Në anën tjetër një punëtor i sigurimit të kësaj Komune i kishte thënë ekipit të KALLXO.com se disa televizorë që shfaqnin pamjet e kamerave ishin larguar ditëve të fundit nga Komuna dhe ishin dërguar në Mitrovicën Veriore, aty ku pretendohet të jetë baza e strukturave paralele të kontrolluara nga Beogradi.

Kamera të shumta të vendosura në disa lokacione të ndryshme në komunat Zubin Potok, Mitrovicë Veriore, Zveçan nuk janë të mbikëqyrura apo të kontrolluara nga institucionet e Kosovës.

Në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, çdo lëvizje monitorohet nga dhjetëra kamera të sigurisë të cilat janë të vendosura në disa lokacione të ndryshme e të cilat asnjë nga to nuk kontrollohen nga institucionet në Kosovë.

Sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi, i vetmi institucion i cili është i përcaktuar me ligj që të ketë kontroll dhe mbikëqyrje në kamerat e sigurisë është Policia e Kosovës.

Kjo vlen edhe në rastet kur vetë komunat vendosin sistemin e kamerave të sigurisë.

Përveç Komunës së Zveçanit, KALLXO.com ka tentuar që të marrë një përgjigje edhe nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojeviq.

Ky i fundit nuk ka pranuar që të flasë për këtë rast ndërsa e ka rekomanduar ekipin e KALLXO.com që të dërgojë pyetje te nënkryetarja e kësaj Komune, Adrijana Hoxhiq.

“I kam pa lokacionet dhe i kam diskutuar me stafin tim. Të gjitha përveç njërës janë të vendosura jashtë territorit të Komunës së Mitrovicës Veriore. Unë nuk kam informacione se kush i ka vendosur dhe kush i mbikëqyr këto pajisje”, ka thënë Adrijana Hoxhiq në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com.

Kamerat afër urës së Ibri, foto: KALLXO.com

Pra kjo Komunë nuk ka mbikëqyrje e as kontroll në asnjë nga kamerat e vendosura në shtylla e objekte që gjenden në këtë zonë.

Për këto kamera ka dhënë përgjigje edhe Policia e Kosovës.

Ata kanë dhënë përgjigje vetëm për kamerat te objekti i Ngrohtores.

“Në Mitrovicën Veriore, kamerat 1 dhe 2 gjenden në objektin e Ngrohtores përkatësisht ndërmarrjes komunale “Standard”, përkatësisht në oborrin e kësaj ndërmarrje dhe të cilat kanë vështrim në drejtim të Stacionit të Autobusëve dhe në rrugën “Ivo Lola Ribar” dhe kamera 2 e cila ka vështrim drejt urës përkatësisht nga zona e Dudi Kërshit”, thuhet në përgjigjen e Hotit deri sa shton se ato i përkasin Ngrohtores.

Në përgjigjet e Hotit në asnjë moment nuk përmendet se ndonjëra prej tyre është nën kontroll të Policisë së Kosovës.

Hoti ka thënë edhe se këto kamera janë jashtë funksionit.

“Përkundër kërkesave që këto kamera të vihen në funksion, të njëjtat ende janë jashtë funksionit apo nuk janë riparuar”, tregon Hoti tutje.

Drejtori i Ngrohtores sipas Hotit ka deklaruar se janë 11 kamera të tilla të cilat monitorojë sigurinë e objektit por vetëm 3 nga to janë funksionale.

Punëtorët e Ngrohtores tregojnë se nuk kanë fjalëkalimin për të pasur qasje në kamera dhe se pa Policinë gazetarët e KALLXO.com nuk mund t’i shikojnë pamjet. Madje ata kanë pranuar se kamerat janë të tyre ndërsa Policia nuk ka dhënë detaje se a kanë kontroll në këto kamera të cilat janë të vendosura në drejtim të Stacionit të Autobusëve dhe rrugëve publike.

Një punëtor në Komunën e Zubin Potokut është shprehur se nuk e di nëse mbikëqyren kamerat nga Komuna deri sa shton edhe fjalinë se “përveç policisë unë nuk e di kush mund t’i kontrollojë (kamerat)”.

Kamerat në rrugën drejt Zubin Potokut, Foto: KALLXO.com

Edhe vetë kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Sërgjan Vulloviq, nuk ka përgjigje për kamerat e sigurisë.

“Mendoj që jo, por nuk jam i sigurt”, tha shkurt kryetari Vulloviq në një bisedë me KALLXO.com.

“Bazuar në fotografitë e dërguara, janë identifikuar disa kamera të cilat ndodhen në zonën e përgjegjësisë në Zubin Potok. Lidhur me këto kamera ju njoftojmë se janë të instaluara në këtë zonë të komunës, para disa vitesh, bazuar në një projekt të komunës së Zubin Potokut i cili projekt sipas njoftimeve tona është financuar nga Prishtina mirëpo projekti nuk ka përfunduar asnjëherë, ashtu që kamerat nuk janë në funksion”, thuhet tutje në përgjigjet e zëvendësdrejtorit Hotit për kamerat në Zubin Potok.