Kryetarët e komunave u dakorduan për masat e reja kundër COVID-19

Nën organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kryetarët e komunave kanë zhvilluar takimin virtual të radhës me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.

Në këtë takim morën pjesë Kryetarë të Komunave, Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe Drejtori i IKSHPK Naser Ramadani.

Temë e këtij takimi ishin rritja e numrit të rasteve me COVID – 19 në javët e fundit si dhe masat e reja të cilat pritet ti merr Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së rasteve të Covid-19 dhe uljen e numrin të rasteve.

Takimin e kryesoi Zëvendës Kryetari i AKK-së Xhafer Gashi i cili në pika të shkurta paraqiti adresimet e fundit nga komunat për rivlerësim të masave. Në këtë prizëm ai tha se Asociacioni i Komunave të Kosovës me anë të një kërkesë drejtuar Ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike z.Agim Veliu ka kërkuar rishqyrtimin e masave Anti-Covid19.

Sipas njoftimit të  Asociacionit të komunave Kryeministri Avdullah Hoti edhe në këtë takim para Kryetarëve të Komunave i ngriti shqetësimet dhe sfidat me kapacitetet të cilat i ka sistemi shëndetësorë e të cilat janë në limitet e fundit sa i përket kapaciteteve të shtretërve për trajtimin e pacientevëve me COVID- 19 dhe të qenit në gjendje të rëndë epidemiologjike.

Po ashtu në këtë takim, kryetarët e komunave u njoftuan për vendimet e reja të cilat pritet të merren nga Qeveria e Kosovës e të cilat janë adresuar nga Kryetarët e Komunave.

Në anën tjetër Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, në këtë takim tregoi disa nga vendimet të cilat pritet të merren në mbledhjen e fundit të Qeverisë. Këto vendime pritet të vijnë për shkak të rritjes së numrit të madh të rasteve e të cilat në ditët në vijim pritet të jenë shumë kritike.

Kryetarët e Komunave në anën tjetër i mirëpriten vendimet e reja të Qeverisë së Kosovës, por kërkuan që këto vendime të jenë mirë të menduara dhe të adresuar në atë mënyrë që i ndihmojnë përmirësimit të luftimit të gjendjes me COVID-19. Në këtë takim po ashtu u adresuan shumë çështje të tjera nga Kryetarët e Komunave e cilat kërkojnë një vëmendje e adresim të shpejtë nga ana e Qeverisë.

Në fund të këtij takimi Naser Ramadani bëri thirrje që masat të cilat janë të rekomanduara nga ana e Institutit e të cilat janë bartja e maskave, distanca dhe higjena personale të jenë masat më të mira të mbrojtjes nga COVID-19.