Kryetarët e katër komunave veriore dorëzojnë zyrtarisht dorëheqjet në MAPL

Kryetarët e komunave me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, sot zyrtarisht kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. 

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga MAPL. 

“Sot gjatë ditës, në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal kemi pranuar letërdorëheqjet e kryetarëve të Komunave, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ne jemi në komunikim me të gjitha insitucionet relevante për hapat e mëtejshëm sipas ligjeve në fuqi” – thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie për KALLXO.com.

Kryetarët që kanë dorëzuar fletëdorëheqjen janë: Milan Radojeviq (Mitrovicë e Veriut), Zoran Todiq (Leposaviq), Sërxhan Vuloviq (Zubin Potok), Dragisha Miloviq (Zveçan).

Në rast të dorëheqjes së kryetarëve të komunave, legjislacioni në fuqi përcakton procedurën për zgjedhje të jashtëzakonishme. 

Sot gjate ditës, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Presidenca e Kosovës nëse është diskutuar një datë potenciale kur këto komuna do të shkojnë në zgjedhje. 

“Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes” – thuhet në përgjigjen e këshilltarit për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina. 

KALLXO.com ka kërkuar një interpretim ligjor nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të këtyre katër komunave, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. 

Sot gjatë ditës edhe deputetët e Listës Serbe zyrtarisht kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Deputetët që kanë dorëzuar dorëheqjen janë: Slavko Simiq, Adem Hodza, Igor Simiq, Miljana Nikoliq, Zoran Mojsiloviq, Verica Ceraniq, Branislav Nikoliq, Milos Peroviq, Ljubinko Karaxhiq, Jasmina Dediq dhe Dragana Antonijeviq.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka proceduar kërkesën për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar sot se 10 prokurorë të nacionalitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Prokuroria në Mitrovicë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës sot është njoftuar me ofrimin e dorëheqjes së 10 prokurorëve të komunitetit serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës”- thuhet në njoftimin e KPK-së për publikun.

Njëjtë kanë vepruar edhe anëtarët e stafit administrativ të kësaj Prokurorie.

Pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, për shkak të refuzimit dhe rezistencës për të lëshuar fletëqortime për pronarët e veturave me targa ilegale serbe, zyrtarët serbë nëpër institucionet e Kosovës kanë ofruar dorëheqjet e tyre.

Duke ju bashkangjitur veprimeve të zyrtarve policorë si dhe atyre të stafit administrativ, sot kanë ofruar dorëheqjen e tyre prokurorët nga komunitetit serb në Mitrovicë.

Të dielën, më 6 nëntor, serbët kanë protestuar në mënyrë paqësore në sheshin “Car Llazari” në Mitrovicën e Veriut, me flamuj të Serbisë, me slogane të ndryshme nën tingujt e këngëve nacionaliste serbe.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur sot në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të dialogut dhe në bazë të punës së ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Bashkësisë së komunave serbe.