Kryetarët e Grupit Parlamentar të LVV-së e AAK-së deklarohen pas vendimit për dënimin e Salih Mustafës

Kryetarja e grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e kanë komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për ta dënuar me 26 vite burg, Sali Mustafën i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali”.

Mimoza Kusari- Lila tha se qëndrimi i LVV-së për gjykatën tashmë dihet ndërsa sipas saj, partia këtë vendim e kishte konsideruar të gabueshëm.

“Qëndrimi Vetëvendosjes në raport me gjykatën është tashmë i ditur, është konsideruar si vendim i gabueshëm dhe nuk e ka mbështetë këtë vendim. Fatkeqësisht ka qenë grupi i vetëm parlamentar që nuk e ka mbështetë dhe s’ka mundur ta ndalë. Tash pjesën tjetër janë pasoja të një veprimi që ka ndodh në Kuvendin e Kosovës por pasojat po i bartin të tjerët e do ti bart edhe vendi në raport me ekon që jepin vendime të tilla”- ka thënë Kusari-Lila.

Ndërsa, kryetari i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se ky vendim duhet të apelohet.

“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë për liri, luftë e drejtë dhe kundër sistemit të Sllobodan Millosheviqit. Ky vendim duhet të apelohet dhe drejtësia të del në pah. Cali dhe të tjerët kanë bërë një luftë të drejtë. Për mua personalisht dhe për çdo shqiptar qe frymon shqip kjo është e pa kapshme e pa argumentueshme. Ai do ta fitojë në apelim”- ka thënë Tahiri.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë deklaruar për media.

Ndërsa, në një postim në Facebook deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për ta dënuar me 26 vite burg, Sali Mustafën.

“E tmerruar nga vendimi i gjykatës në Hagë!!!Faleminderit Zot, që ma dhe durimin me e përballu stresin e presionit që m’u shkaktua kur po votohej Gjykata Speciale. Faleminderit që ma dhe guximin qe t’iu qëndroj fort bindjeve të mia të familjes, farefisit dhe shoqërisë sime”, ka shkruar ajo.

Sali Mustafa i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali” është gjetur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

VIDEO – Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim