Kryetarët e 3 komunave nuk do ta kryejnë betimin në sallat plenare të Kuvendeve Komunale

Për dallim nga kryetari i Mitrovicës Veriore, tre kryetarët e tjerë, dy të Partisë Demokratike të Kosovës dhe një tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të betohen në objektin e kryetarit të Komunës apo Kuvendit Komunal, por në hapësira të tjerë publike.

Izmir Zeqiri, kandidati që fitoi votat për të drejtuar Komunën e Zubin Potokun pritet të betohet sot nga ora 10:00, ndërsa vendi ku do të mbahet ceremonia është zyra lokale për komunitete dhe kthim, zyre kjo që gjendet në fshatin Çabër.

Izmir Zeqiri ka marrë 197 vota në zgjedhjet e 23 prillit.

Zgjedhjet u mbajtën në katër komunar veriore pas dorëheqjeve të kryetarëve të kaluar.

Sot pritet të betohet edhe kryetari i komunës së Zveçanit, kandidati i PDK-së Ilir Peci. I njëjti, ceremoninë e betimit do ta mbajë në objektin e shkollës “Isa Boletini”.

Ditë më parë KALLXO.com raportoi se policia kishte shoqëruar në stacion dy persona pasi dyshohej se të njëjtit po bllokonin dyert e komunës të Zubin Potokut për të mos lejuar qasjen brenda objektit.

Të njëjtit janë intervistuar dhe ishin liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu sot pritet të betohet edhe kryetari i ardhshëm i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

Asnjë nga ceremonitë e betimit që do të zhvillohen sot nuk do të mbahen brenda objektit të komunës, ku zakonisht bëhen ato.