Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryesuesi i KQZ-së: Tema e shtyrjes së zgjedhjeve dhe shkurtimi i fushatës zgjedhore u ngritën si çështje në takimin me presidenten

Kreshnik Radoniqi, kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha se janë takuar me presidenten Vjosa Osmani me kërkesën e tij.

Radoniqi tregoi që arsyeja e kërkesës së takimit ishte për hapësirën e objektit të KQZ-së për staf të sekretariatit.

Radoniqi tha se është ngritur edhe çështja e shkurtimit të fushatës zgjedhore dhe ajo për shtyrjen e zgjedhjeve.

Radoniqi tha se personalisht nuk ka dhënë mendim për asnjërën çështje.

“Unë personalisht nuk kam marr, as nuk kam dhënë mendim. Çështja e fushatës edhe në media që më kanë pyet gjithnjë kam thënë se kërkesë nuk kemi me shkurtuar fushatën dhe është çështje ligjore kohëzgjatja e fushatës. Ne si KQZ të paktën unë në lexim të ligjit nuk e shoh ndonjë arsye që mund të marrim ne për zvogëlimin e fushatës përveç nëse kemi zgjedhje të jashtëzakonshme. Në zgjedhje të rregullta nuk kemi ndonjë dispozitë për shkurtimin e fushatës”, tha ai.

Radoniqi shtoi se sa i përket shtyrjes së datës së zgjedhjeve ajo nuk është në kompetencën e tij e as të KQZ-së.

“E di që ndoshta e keni këtë çështje në interesim por sa më përket mua u ngrit çështja por nuk kam dhënë mendim e as nuk kam interes me dhënë mendim. E kam njoftuar presidenten edhe lidhur me procesin e deritanishëm ku kemi arrit”, tha Radoniqi.

Radoniqi tregoi se takimi me presidenten u bë për arsye se që nga marrja e vendimit nga ish ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu, që aneksi i ndërtesës ku është KQZ-ja, ti jepet KQZ-së, si pjesë e ndërtesës për nevoja të stafit.

Por sipas tij, nuk kemi pranu asnjëherë asnjë përgjigje prej kohës kur është marr vendimi me iu dhënë ai aneks, përkundër që sipas tij ju kanë dërguar shkresa.

“Të ketë presidentja komunikim me ministren sepse ata nuk po përgjigjen, ne i kemi kushtet e pa volitshme dhe po duhet 10 deri 15 veta me punu në zyrën e regjistrimit të partive politike”, tha ai.

Gjithashtu temë tjetër e diskutimit Radoniqi tha se ishte nevoja e vaksinimit të stafit që do të punojnë në ditën e zgjedhjeve të cilët sipas Radoniqit në shifër janë 25 mijë deri në 30 mijë persona të angazhuar.

“Edhe pse këtë kërkesë e kemi dërguar me shkrim në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha ai.