Kryesuesi i KPK-së prezantoi punën 1 vjeçare

 

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, në konferencën e fundvitit për media, ka prezantuar punën njëvjeçare të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Kryesuesi i KPK ka thënë se pas paraqitjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, KPK ka ndërmarrë veprime në bazë të vendimeve dhe udhëzimeve të organeve kompetente për mbrojtje nga kjo pandemi.

Tutje Hyseni ka shtuar se KPK në bashkëpunim me projektin britanik ka hartuar Planin për menaxhimin e krizave në sistemin prokurorial.

Sistemi prokurorial nuk ka kaluar pa pasoja nga kjo pandemi, sepse COVID-19 ua ka marrë jetën dy prokurorëve.

Sipas tij Këshilli këtë vit ka mbajtur 16 takime, si dhe ka nxjerrë rreth 170 vendime.

Hyseni ka treguar se gjatë vitit 2020, nga Kuvendi i Kosovës është zgjedhur anëtari i Këshillit nga radhët e profesorëve të fakulteteve juridike.

Po ashtu, Këshilli ka zgjedhur edhe anëtarët prokurorë nga 7 prokuroritë themelore, pasi që anëtarëve aktual të këtyre prokurorive u skadon mandati më 31 dhjetor 2020.

Sipas tij gjatë vitit 2020 KPK, ka filluar procedurat për rekrutimin e 8 prokurorëve të rinj, ku ka publikuar listën me kandidatët që kanë plotësuar kriteret për t`iu nënshtruar testit kualifikues.

Gjithashtu, gjatë këtij viti Hyseni ka treguar se, Këshilli, ka zgjedhur kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Pejës dhe Mitrovicës, pasi kryeprokurorëve aktual u skadon mandati më 31 dhjetor 2020. Kryeprokurorët e zgjedhur fillojnë punën më 1 janar 2021.

Tutje ai ka thënë se Sistemi prokurorial i Kosovës 2019-2021, Këshilli ka themeluar 3 departamente të reja në Prokurorinë Speciale.

Hyseni po ashtu ka thënë se, Grupi Punues për mbikëqyrjen e punës së prokurorive të Kosovës dhe Njësitit për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka vazhduar me sukses punën edhe gjatë këtij viti.

Pjesë nga raporti i prezantuar nga kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni:

Sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, nga 263 raste të korrupsionit të pranuara ka zgjidhur 220 raste, respektivisht, ka zgjidhur 83.65% të rasteve të pranuara. Me prioritet gjatë këtij viti janë trajtuar edhe raportet penale PPN në rastet e korrupsionit ku si rezultat gjatë periudhës janar-shtator 2020, nga 199 Informata PPN të pranuara, prokuroritë e Kosovës kanë trajtuar dhe përfunduar 211 Informata PPN apo 106.03% të rasteve të pranuara.

Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 261 raste të pranuara janë zgjidhur 227 raste, respektivisht janë zgjidhur 86.97% e rasteve të pranuara.

Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve është vënë në zbatim në prokuroritë themelore në Prishtinë, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Prizren dhe Prokurorinë Speciale.

Gjatë këtij viti është implementuar shpërndarja automatike e lëndëve. Gjithashtu janë regjistruar edhe të gjitha veprimet dhe aktet e prokurorëve.

Të gjitha lëndët/rastet që janë pranuar, janë regjistruar në SMIL.

Numri i përgjithshëm i rasteve që janë regjistruar në sistem elektronik nga muaji Janar – Nëntor 2020 është si në vijim:

  • Në të gjitha Prokuroritë Themelore dhe në Prokurorinë Speciale janë regjistruar 30,873 raste (këtu janë të përfshirë regjistrat PP, PPM, PPP dhe PPN);
  • Ndërsa, në Prokurorinë e Apelit, nga muaji shtator 2020 kur ka filluar zbatimi i SMIL në këtë prokurori deri në muajin nëntor 2020, janë regjistruar gjithsej 1,037 raste.

Është vënë në zbatim SMIL në Prokurorinë e Apelit ndërsa në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit është në fazën finale dhe pritet në muajin janar 2021 të fillojë trajnimi i stafit.

Po ashtu, është në proces zhvillimi i regjistrave elektronik në kuadër të SMIL, që nënkupton që në vitin 2021 do të largohen nga puna të gjitha regjistrat fizik.

Është vënë në zbatim shkëmbimi elektronik i të dhënave mes prokurorive dhe Policisë së Kosovës. Po ashtu, është bërë ndërlidhja elektronike përmes sistemit SMIL ndërmjet prokurorive dhe gjykatave.

Sa i përket aspekteve tjera të teknologjisë së informacionit, Këshilli Prokurorial i Kosovës është zotuar që të krijojë një mjedis të punës, i cili do të mundësojë vënien në dispozicion të shërbimeve digjitale online, të ofruar jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim është implementuar dhe vënë në zbatim sistemi elektronik i menaxhimit të rasteve (donacion i GIZ) në Zyrën për Mbrojtën dhe Ndihmë Viktimave. Te gjitha rastet regjistrohen në sistem dhe numri i rasteve të regjistruara nga muaji tetor 2020 deri më 30 nëntor 2020 është 703.

Sa i përket buxhetit, buxheti fillestar i Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2020 ishte 15,021,835.00 euro e që është për 6% më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

Mirëpo, me rishikimin e buxhetit si dhe me vendim të Qeverisë për kursime buxhetore, buxheti i Këshillit është zvogëluar për 1,557,396.14 euro apo 10%. Aktualisht, buxheti përfundimtar i sistemit prokurorial është 13,464,438.86 euro

Deri më tani, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka realizuar 97.27% të buxhetit total, për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore të Këshillit për shpenzimet e krijuara deri më 24 dhjetor 2020.