Kryesuesi i KPK: Kemi pasur 15 kërkesa për fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku gjatë prezantimit të punës së bërë gjatë 2021, ka thënë se vetëm gjatë këtij viti janë pranuar 15 kërkesa për fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve.

“Kemi pranuar 15 kërkesa për fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe kemi themeluar 13 panele hetimore”, ka thënë Maloku.

Tutje ai ka shtuar se KPK ka finalizuar vlerësimin e përformancës për 65 prokurorë.

“Janë vlerësuar 53 prokurorë me mandat të përhershëm dhe 12 të tjerë me mandat fillestar”, tha ai.

I njëjti ka shtuar se me qëllim të trajtimit të lëndëve të rënda penale dhe me kërkesë të prokurorëve këshilli ka avancuar 19 prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda.

“Këshilli ka transferuar përkohësisht katër prokuror në prokuroritë themelore me qëllim të mbështetjes së prokurorive në trajtimin e rasteve penale”, ka thënë ai.