Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasje të Tirumf Rizës (30.08.2023) - FOTO: Laurant Berisha- KALLXO
Kryesuesi i KGJK-së komenton deklaratën e kryeministrit për arratisjen e Enver Sekiraqës
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Alber Zogaj, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti lidhur me rastin e arratisjes së Enver Sekiraqës, në një intervistë në emisionin “KallxoPernime”.
“Retorika e kryeministrit është retorika e kryeministrit, që për neve nuk është e pranueshme”- deklaroi Zogaj.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës kishte deklaruar që faji për arratisjen e të akuzuarit Enver Sekiraqa për nxitje në vrajsen e policit Triumf Riza, bie mbi sistemin gjyqësor.
Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se përgjegjësinë e veprimeve të gjyqtarit, prokurorit e policit e cakton institucioni përkatës që ka në menaxhim akterët e specifikuar.
Zogaj ka thënë se arratisja e Sekiraqës paraqet shqetësim të madh si për qytetarët ashtu edhe për sistemin e drejtësisë.
Më tej, ai tha se duhet të merret parasysh se si ka vepruar sistemi lidhur me rastin e arratisjes së Sekiraqës. Sipas tij, veprimet e Këshillit Gjyqësor kanë qenë në kohë jashtëzakonisht të shpehtë ndaj gjyqtarit që ka marrë vendim për ta lënë të mbrohet në liri pasi ishte shpallur vendimi për dënimin e Sekiraqës me 25 vjet dënim me burgim.
“Ne e kemi marrë një provë në kohë jashtëzakonisht të shpejtë dhe e kemi kriju parakushte për një hetim të thellë të çështjes nëse sistemi gjyqesor ka përgjegjësi në këtë proces”- tha Zogaj.
Tutje në intervistën në “KallxoPërnime”, Zogaj shtroi si pyetje nësë në të kaluarën ka mundur të ndodhë një gjë e tillë.
Sipas tij përgjigja është negative sepse Kodi i vjetër i Procedurës Penale nuk e ka paraparë këtë mundësi, ndërsa Kodi i ri i Procedurës Penale ia ka dhënë mundësinë gjyqtarëve që nësë dikush për veprën penale të dënueshme me mbi 5 vite dënim me burgim mund të vendos që i njëjti të mbrohet në liri.
“Duhet të merret parasysh edhe kontestin ligjor të situatave, a do të ishte e mundur në një periudhë të mëparshme me u dënu dikush me 25 vjet edhe me u lonë në liri? Tani ndryshimet ligjore e mundësojnë këtë. Por ndryshimet ligjore e hapën një mundësi kur dënimi të jetë mbi pesë vite të lihet në liri”- tha Zogaj.
Zogaj tha se duhet të pritet vendimi i KGJK-së lidhur me rastin e suspendimit të gjyqtarit, Agim Kuçi, për të vendosur lidhur me rastin e vendimit për mbrojte në liri ndaj Sekiraqës.
“As nuk po tentoj unë dhe as KGJK me shfajësu askënd”- tha Zogaj.
Enver Sekiraqa, i akuzuar se ka nxitur Arben Berishën për ta vrarë policin Triumf Riza, ishte dënuar nga shkalla e parë me 25 vjet burgim.
Sekiraqa, që nga 17.05.2024 vazhdon të mbetet i paarritshëm për Policinë e Kosovës dhe organet e drejtësisë, ndonëse ndaj tij tashmë ekziston një vendim që të kthehet në paraburgim.
Agim Kuçi kishte marrë vendim të veçantë me të cilin i kishte hequr masën e arrestit shtëpiak të akuzuarit Sekiraqa, duke e lënë të mbrohet në liri.
Por, Gjykata e Apelit më 17.05.2024 ka marrë vendim për ta kthyer në paraburgim Enver Sekiraqën.
Policia kishte konfirmuar se Sekiraqa nuk ishte gjetur në dy lokacione në të cilat ishte kërkuar.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi lidhur me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën.
Vendimi për suspendimin e gjyqtarit është marrë me shumicë të votave në KGJK.
Gjykimi maratonik ndaj Enver Sekiraqës, i nisur në vitin 2014, ka rezultuar me tri dënime të deritanishme.
Në vitin 2016 Sekiraqa u dënua me 36 vjet burgim, kurse me 30 vjet burgim në vitin 2019. E më 03.05.2024 u dënua me 25 vjet burgim për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.