Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial as nuk pohon as nuk mohon nisjen e hetimeve ndaj prokurores Shemsije Asllani

Në një audio-incizim, prokurorja e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, pretendohet se dëgjohet derisa tregon për ushtrimin e ndikimit të saj dhe zgjedhjen e personave në pozita të caktuara.

Këto audio-incizime u publikuan nga media online “Shqip.com” javën e kaluar ndërsa deri më sot nuk ka asnjë reagim zyrtar në lidhje me pretendimet se prokurorja Asllani ka qenë pjesë e zgjidhjes së një lënde të një personi të cilit i ishte konfiskuar vetura.

Në bisedat e publikuara në media, prokurorja pretendon se ka miq në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. E njëjta pretendohet se ka ndihmuar edhe në zgjedhjen e një gjyqtari.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit po vazhdon të heshtë rreth përmbajtjes së audio-incizimeve të publikuara javën e kaluar, të cilat pretendohen se janë audio-incizime të vitit të kaluar, KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i cili as nuk e mohoi e as nuk e pohoi nisjen e procedurave diciplinore ndaj prokurores Shemsije Asllani pas këtyre audio-incizimeve.

Ai tha tutje se pritet që të kenë një mbledhje në të cilën do të sqarohen të gjitha pretendimet e publikuara por refuzoi të flasë nëse është nisur apo jo procedurë hetimore apo diciplinore ndaj prokurores Asllani.

Në anën tjetër në lidhje me procedurën diciplinore ndaj prokurores Asllani KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga Zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina, nga kryeprokurori  i Prishtinës, Kujtim Munishi, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm në telefon.

Zyra për Informim e Prokurorisë së Prishtinës ka thënë për KALLXO.com se nuk kanë marrë ndonjë informacion nëse është iniciuar ndonjë procedurë ndaj prokurores Asllani.

Media online “Shqip.com” më 30 korrik publikoi një audio- inicizim më shumë se 10-minutësh deri sa pretendohet se  dëgjohet prokurorja Asllani derisa flet me një person për zgjidhjen e një rasti të këtij të fundit.

Në audio-incizimin në të cilin pretendohet se flet prokurorja Asllani ajo dëgjohet teksa nuk heziton të ndajë informacione se çka po ndodh brenda sistemit prokurorial dhe ndikimin e saj edhe në zgjedhjen e një gjyqtari ndërsa dëgjon informacione rreth saj nga bashkëbiseduesi se kinse ajo është e përfshirë në dosjen hetimore të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, hetimin e të cilit po e kryejnë siç pretendohet në raportimet e medias online disa ndërkombëtarë.

Gjatë gjithë ditës së sotme KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga prokurorja, Shemsije Asllani, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi … por deri në publikim të këtij shkrimi asnjëri nuk i është përgjigjur as thirrjeve e as email-eve të KALLXO.com.

Përveç ditës së sotme, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me prokuroren Asllani edhe në ditën e publikimit të audio-incizimeve nga media online “Shqip.com”.

Biseda sipas “Shqip.com” është më shumë se 40 minuta dhe diskutimi pretendohet se bëhet mes prokurores Asllani dhe një personi tjetër i cili i kishte telefonuar prokurores në lidhje me një veturë që ia kishin konfiskuar pa të drejtë dhe për këtë e kishte bërë përgjegjës Lumezin.

Sipas audio-incizimeve në të cilat pretendohet se është përfshirë prokurorja Asllani, në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon se telefonuesi ka informacione sekrete për të dhe për kryeprokurorin Lumezi.

“Tha na jemi t’u e hetu, t’u e hetu na jemi Lumezin që nja 3-4 vjet, tha. Për korrupsion, për seksualitet – më fal në shprehje… Edhe për përdorje të kokainit”, dëgjohet biseda e telefonuesit që pretendohet se e ka realizuar me prokuroren Asllani.

“Do me thanë Shemsije, unë emrin tond e kam pa aty. I kam pa nja 80 foto, i kam pa aty ma s’pakti”, i thotë telefonuesi, ndërsa prokurorja i kundërpërgjigjet “edhe temin a?”.

Telefonuesi vazhdon t’i tregojë prokurores se ka parë dëshmi e fotografi në oborrin e shtëpisë së saj ku dukej edhe kryeprokurori Lumezi siç pretendohet me një person tjetër.

Brenda raportimit të “Shqip” përmendet edhe një ndërhyrje e prokurores Asllani në AKI.

Këtë ndërhyrje Asllani pretendohet se e ka përmendur deri sa kishte treguar se interesimi i saj për lëndën e personit me të cilin flet mund të jetë shkelje e kodit të etikës, ushtrim ndikimi, shkelje të integritetit.

Pasi i rikthehen temës së problemit ligjor që kishte personi i cili bisedon me prokuroren Asllani, kjo e fundit i tregon se menjëherë ishte interesuar për të edhe në AKI.