Skender Çoçaj, KGJK. Foto: Atdhe Mulla

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor mblodhi kryetarët e gjykatave

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skender Çoçaj, mbajti sot takim me kryetarët e gjykatave të Kosovës për të diskutuar rreth situatës aktuale pas vendimit  për reduktimin esencial të aktiviteteve gjyqësore, pas paraqitjes së pandemisë COVID-19.

Kryesuesi Çoçaj deklaroi se pavarësisht situatës së krijuar e ka konsideruar të nevojshëm këtë takim për të diskutuar rreth aktiviteteve gjyqësore, sfidave dhe vështirësive me të cilat po përballen gjykatat e vendit.

“Pavarësisht kushteve, rrethanave të krijuara nga pandemia covid-19 dhe reduktimit esencial të aktiviteteve gjyqësore si dhe stafit, puna në gjykatat tona nuk është ndalur por vetëm është reduktuar esencialisht dhe besoj se është mirë që edhe publiku të jetë i informuar për këtë”, ka thënë Çoçaj.

Tutje Çoçaj ka thënë që me më rëndësi është jeta e njerëzve dhe pastaj vjen puna.

“Nuk mundemi të mos jemi të vëmendshëm për punën tonë, sidomos duke e pasur parasysh natyrën specifike që ka puna jonë. Situata aktuale pa dyshim që ka krijuar vështirësi në punën tonë, andaj, gjatë kësaj kohe, pa dyshim neve do të na paraqiten probleme të ndryshme, sidomos çështjet që lidhen me afatet ligjore, çështjet e parashkrimit kanë me qenë një ndër problemet më të mëdha, si dhe çështjet e ekzekutimit të dënimeve”, ka thënë Kryesuesi Çoçaj.

Gjatë këtij takimi, u diskutua edhe mundësia e mbajtjes së seancave gjyqësore sidomos për rastet që rrezikohen të parashkruhen. Nga ana tjetër, kryetarët e gjykatave informuan kryesuesin Çoçaj rreth punës që ata dhe stafi i tyre po bëjnë gjatë kësaj periudhe, por pavarësisht situatës së krijuar, në të gjitha gjykatat pranohen shkresat fizikisht por edhe në formë elektronike, ndërsa fokusi kryesor në këtë situatë mbetet trajtimi i rasteve urgjente.

“Për shkak të kësaj pandemie, për kryetarët mbetet brengosje  ngecja e efikasitetit të punës në gjykatat e vendit ku edhe për ta problem kyç mbetet parashkrimi, pastaj  ekzekutimi, caktimi i seancave, pamundësia e dërgimit të ftesave palëve në situatë pandemie etj, që në rrethana të tilla e vështirësojnë në masë të madhe punën e gjykatave në vendin tonë”, u tha në takim

Në fund, kryesuesi Çoçaj kërkoi që në mesin e muajit prill, gjykatat të përgatisin një raport të veçantë pune, më konkretisht, çfarë është punuar në gjykata qysh nga paraqitja e pandemisë pra që nga marrja e vendimi të KGJK për reduktimin esencial të aktiviteteve gjyqësore.