Kryesuesi i bordit të ZRrE tregon se si po llogariten faturat e rrymës që nga 9 shkurti

Nga data 9 shkurt 2022 kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike, të miratuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE). Këto tarifa janë rritur në çmim për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë.

I ftuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, ka shpjeguar mënyrën se si po kalkulohen faturat me tarifat e reja.

Ai ka thënë se ndryshimi i tarifave të rrymës ka qenë një shqyrtim i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye kanë hyrë në fuqi menjëherë. Sepse, sipas tij, kështu e kërkon legjislacioni.

Sipas Fejzullahut, metodologjia e kalkulimit të faturave që nga data 9 shkurt është bërë duke u bazuar në mesataren ditore të konsumit.

“Prej 9 shkurtit, deri në datën e faturimit, që i bjen te disa konsumatorë meqenëse periudha e faturimit  te disa mund të fillojë më 20 shkurt, ato ditë do të kalkulohen  në qoftë se konsumi i asaj periudhe është nën 800 kilovatë/orë, prapë me të njëjtat tarifa, në qoftë se është mbi 800 kilovatë, do të hyjë në fuqi blok tarifa”, ka thënë Fejzullahu.

Sipas tij, meqenëse në Kosovë nuk ka njehsorë të rrymës të mençur, mënyra më e mirë ka qenë të faturohen në bazë të konsumit mesatar.

“Meqenëse ne nuk kemi njehsorë të mençur, mënyra më e mirë e mundshme ka qenë që të faturohen në bazë të kosumit mesatar ditor, për periudhën e faturimit. Ka qenë e domosdoshme që vendimi të hyjë në fuqi, shqyrtimi i jashtëzakonshëm ka qenë e nevojshme”, tha ai.

Tutje, kryesuesi i bordit të ZRrE-së tha se ministrja e Ekonomisë në nëntor të 2021 ka themeluar task-forcën për krizën energjetike, pjesë e të cilës ishte edhe ZRrE-ja.

Ai tha se ka qenë detyrë e ZRrE-së që të bëjë një shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave.

“Të gjithë kanë qenë në dijeni, edhe janë raportet e task-forcës, këto shqetësime por askush nuk ka mundur ta paramendojë që të ketë rënie të njësive dhe askush nuk kam mundur me parashiku as në Evropë dhe as në Kosovë, që çmimet do të rriten”, tha Fejzullahu.

“Është marrë parasysh nevoja për import, duke e marrë parasysh gjenerimin vendor deri në 800 MW. Vetëm në muajin dhjetor kanë qenë 50 milionë euro import, vitet e kaluara kanë ndodhë krejt vitin ka ndodhë 12 milionë euro, maksimumi 20 milionë euro. Kemi pasur rënie të njësive, është rritur importi dhe janë dhjetëfishuar çmimet, krejt kjo ka rezultuar me rritje të kostos”, theksoi Fejzullahu.