Logo e NP KRU" Prishtina"

Kryesuesi i bordit të Ujësjellësit "Prishtina": Konkurset për pozita të larta nuk anulohen nëse nuk ka shkelje ligjore

Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, e cila është në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, ka dërguar rekomandim te ndërmarrjet publike për pezullim ose anulim të konkurseve të shpallura për zyrtarët e lartë.

Këtë dje e kishte paralajmëruar edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike në Kuvendin e Kosovës.

Kuçi njoftoi se ka rekomanduar Njësinë Monitoruese të Ndërmarrjeve Publike, që të pezullohen konkurset e kryeshefave dhe pozitave tjera të larta, pasi ndërmarrjet publike janë duke funksionuar me borde të përkohshme.

Një nga ndërmarrjet publike, e cila ka shpallur konkurs për pozita të larta është KRU “Prishtina”. Kjo ndërmarrje ka shpallur konkurs për kryeshef ekzekutiv, zyrtar kryesor financiar, zyrtar për auditim të brendshëm dhe sekretar.

Kryesuesi i bordit të përkohshëm të ndërmarrjes KRU “Prishtina”, Mentor Hyseni, e ka konfirmuar për KALLXO.com se sot e ka pranuar rekomandim nga Njësia për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Hyseni ky deklaruar se ai është vetëm rekomandim dhe varet nga institucioni nëse do ta marrë parasysh ose jo.

“Fillimisht ai është rekomandim prej Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike. Është rekomandim edhe zakonisht institucionet munden me i marrë parasysh ose jo. Megjithatë, arsyetimin që e kanë bërë është se janë të interesuar me i anulu konkurset ose me i shty, nuk m’u duk arsyetim i logjikshëm”, ka thënë Hyseni për KALLXO.com.

Hyseni ka treguar se në rekomandimin e Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike për anulim ose pezullim të konkurseve janë dhënë disa arsyetime.

“Fillimisht për arsyetimin e parë, Inspektorati nuk është organ që vendos për me kthy dikë në punë ose mos me kthy sidomos për pozitat e larta qysh janë zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike. E dyta, çështja e pandemisë më shumë e vështirëson duke i lënë me ushtrues detyre se sa me i zgjedh njerëzit kompetentë. Edhe puna e zgjedhjes së njerëzve kompetentë nuk e di pse e kanë vendos në pikëpyetje, aksionari ka mundësi të ndryshme me u siguru që zgjidhen njerëzit kompetentë. Është kërku angazhimi i Ambasadës britanike, angazhimi i BIRN-it si mbikëqyrës edhe Qeveria mundet me dërgu Njësinë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike dhe me menaxhu të gjithë atë proces ose me mbikëqyrë”, ka shtuar Hyseni.

Hyseni ka thënë se konkursi është shpallur sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe nëse konkurset duhet të përmbajnë kritere shtesë për kualifikim të zyrtarëve të lartë, atëherë duhet të ndërrohet Ligji për Ndërmarrjet Publike.

“Kualifikimet e kryeshefave edhe pozitat e larta janë të specifikuara me Ligj të ndërmarrjeve publike, nëse dikush duhet me kërku kualifikim tjetër, duhet me ndrru Ligjin për ndërmarrje publike e mandej duhet me kërku atë kualifikim. Këta thonë që duke u bazuar në plan-programin e Qeverisë ka mundësi që me pas kërkesa tjera specifike për kryeshef ekzekutiv”, ka theksuar Hyseni.

Kryesuesi i bordit të përkohshëm të KRU “Prishtina”, Mentor Hyseni ka thënë se nëse nuk ka shkelje ligjore në shpalljen e konkursit nuk sheh arsye për anulim.

“Patjetër që duhet me iu kthy përgjigje por mendoj që bordi duhet me vazhdu me procedim të konkurseve, nëse ka diçka jashtëligjore atëherë jemi jo veç me shty por edhe përtej por përderisa është krejt në përputhje me ligjin, nuk shoh ndonjë arsye për me i anulu”, ka përfunduar ai.

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, dje para Komisionit për Ekonomi kishte deklaruar se ai ka rekomanduar Njësinë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike që të pezullohen konkurset e kryeshefave dhe pozitave tjera të larta, pasi ndërmarrjet publike janë duke funksionuar me borde të përkohshme.

Por, Mentor Hyseni nga KRU “Prishtina” ka thënë se Ligji për ndërmarrjet publike nuk e cek askund që bordi i përkohshëm nuk ka të drejtë të shpallë konkurs.

“Edhe bordi i përkohshëm i ka kompetencat e plota sikur bordi me mandat të plotë. Kështu që nuk ka asnjë logjikë me thonë që tash bordi i përkohshëm paska të drejtë me marrë vendime të tjera por me rekrutu dikë nuk paska të drejtë”, ka theksuar Hyseni.

Edhe KRU “Prishtina” është me bord të përkohshëm dhe pa katër pozitat kryesore menaxheriale të kësaj ndërmarrje të cilët janë shkarkuar nga bordi i përkohshëm i emëruar nga Qeveria Kurti.

Konkursi për katër pozitat kryesore në KRU “Prishtina” është i hapur deri më 3 korrik 2020.