Kryesuesi i bordit të SHSKUK-së zotohet për lejim të monitorimit të mbledhjeve

Mbledhja e katërt e bordit drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ishte mbledhja e parë e cila kishte dyert e hapura edhe për pjesëmarrjen e organizatës BIRN.

Kjo erdhi pas më shumë se një viti që kur BIRN dërgoi kërkesën e parë për të monitoruar mbledhjet e organit më të lartë të SHSKUK-së.

Bordi paraprak kishte refuzuar këtë kërkesë duke u thirrur në një opinionin të zyrës ligjore të SHSKUK-së.

Naim Bardiqi, kryesues i këtij bordi dhe sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë, i ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” foli për arsyet e moslejimit të monitorimit deri më tani.

Bardiqi tha se sapo ai ka pranuar kërkesën për monitorim, më 4 maj, përgjigjja e tij ka qenë pozitive, por më pas ka pranuar opinionin e lartpërmendur nga sekretari i bordit, Fahredin Majkovci.

“Nga sekretari i bordit kam pranuar një shkresë, një opinion, i cili është dhënë duke e ofruar nenin 39 të Ligjit të procedurës së përgjithshme administrative, i cili parasheh mbledhjet e mbyllura të organit kolegjial” – u shpreh Bardiqi.

Ai thotë se kërkesën nuk e ka refuzuar, por e ka shtyrë vendimin, pasi që ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, meqë është sponsorizues i Ligjit në fjalë dhe siç tha ai, në përputhje me rregulloren e punës së Qeverisë, sponsorizuesi i Ligjit jep opinione.

Kërkesën ai tha që e ka bërë duke u thirrur në nenin 9 të këtij Ligji, i cili flet për transparencën e institucioneve.

Në qoftë se opinioni i MPB-së do të jetë pozitiv për lejimin e monitorimit, atëherë Bardiqi thotë se BIRN do të jetë i mirëseardhur në çdo mbledhje të bordit.

Në të kundërtën, ai tha se i duhet që secilën mbledhje ta shpallë si të hapur, në mënyrë që BIRN të mund të marrë pjesë.

“Kjo mund të jetë vetëm e komplikuar, për shkak se për çdo mbledhje duhet ta deklaroj si të hapur dhe për çdo mbledhje duhet t’i referohem kërkesës suaj për t’ju ftuar” – tha sekretari i MSH-së.

Megjithatë, Naim Bardiqi premtoi se përderisa ai do të jetë kryesues i bordit, çdo herë do ta shpallë mbledhjen si të hapur, duke i mundësuar BIRN-it të marrë pjesë, pavarësisht opinionit të MPB-së.

Për moslejimin e monitorimit të mbledhjeve të bordit drejtues të SHSKUK-së, më 10 maj, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte përballur me gazetaren Jeta Xharra.

Xharra kishte kërkuar që ky vendim të arsyetohet, të jepet qasje në të dhe të lejohet monitorimi në fjalë.

Në atë kohë, BIRN nuk kishte pranuar opinionin e zyrës ligjore, ndonëse kishte kërkuar qasje.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ishte përgjigjur duke thënë se nuk është jurist dhe për problemet ligjore merret ekipi i zyrës ligjore.

“Nëse zyra ligjore ka thënë diçka të tillë, duhet ta ketë një arsye. Atë çka mund ta bëj unë si ministër i Shëndetësisë dhe që kam kërkuar menjëherë ta bëj është që të ma arsyetojnë vendimin dhe nëse ka nevojë për të ndryshuar diçka edhe të ndryshojmë në mënyrë që mbledhjet e bordit të SHSKUK-së, por jo vetëm, të jenë transparente” – shtoi ai.

Vitia tha se është shumë transparent dhe se me dëshirë të tij mund të monitorohen edhe mbledhjet e mëngjesit në këtë ministri.

Ai ishte zotuar se do ta pranonim edhe opinionin ligjor dhe kështu ndodhi.