Kryesuesi i Bordit të shkarkuar të Postës reagon ndaj deklaratave të ministres Rozeta Hajdari

Kryesuesi i shkarkuar i bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi, ka reaguar pas deklaratave të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari e cila duke treguar për emërimet e reja nëpër borde ka thënë se ‘I kemi për ta ndalur gjakderdhjen financiare dhe rënien e lirë të ndërmarrjeve jetike për qytetarët’.

Isufi ka thënë se deklaratat e ministres në detyrë janë skandaloze, duke shtuar se nëse ajo ka dëshmi për pretendimet e saj duhet t’i drejtohet policisë së Kosovës.

“Deklarata juaj është shumë skandaloze, e pavërtetë dhe denigruese për mua si Kryeesues i Bordit të Drejtorëve të Postës dhe kolegëve të mi .Për çfarë gjakderdhje financiare e keni fjalën?! Kur na paska ndodhur kjo? Kush e ka bërë? Pse nuk të vije turp të gënjeni publikisht?! Nëse unë dhe kolegët e mi paskemi shkaktuar “gjakderdhje financiare” dhe paskemi vjedhur dërgoje policinë të na arrestojnë”, ka thënë ai.

Përmes një komunikate për media, Isufi ka thënë që nuk do të lejojë që të denigrohet publikisht.

“Duke u munduar me rrena e shpifje të ulëta të mbulosh skandalin dhe shkeljen ligjore që po dërgon masa të dhunshme në ndërmarrje publike përmes emërimit të militantëve partiak”, ka thënë ai.

Sipas tij, është pikërisht ministrja ajo që duhet të shkojë në shtëpi, dhe jo anëtarët e bordit.

“Sjellja jote nuk i përket nivelit të një ministreje, edhe pse je e shkarkuar me gjithë qeverinë tënde me 2/3 e votave të Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ti je ajo që duhet të shkosh në shtëpi sa më parë dhe jo unë dhe kolegët e mi që kemi kaluar nëpër konkurs publik të vlerësuar lartë edhe nga Kompania Britanike konsulentë”, ka thënë tutje ai.

Tutje ai ka thënë që së bashku me kolegët e tij të shkarkuar janë duke shqyrtuar seriozisht nëse do të pranojnë të zbatohet vendimi për të cilin ai pretendon se është i jashtëligjshëm.

“Unë dhe kolegët e mi anëtarë të Bordit të Drejtorëve nuk e kemi lejuar as regjimin e Millosheviqit të na shkel dinjitetin e nuk të lejomë as ty dhe shokët e shoqet tuaja në Qeverinë në ikje”, ka theksuar ai.

Dje Qeveria në detyrë ka marrë vendim për shkarkimin e bordit aktual të Postës së Kosovës dhe  emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.

Anëtarët e ri të bordit janë: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor.

KALLXO.com kishte raportuar se partitë të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës, PDK-AAK-Nisma Socialdemokrate kanë ndarë ‘hisen’ në tri pjesë në Bordin e Postës së Kosovës. 6 anëtarët e bordit të Postës së Kosovës janë: Halit Isufi, kryesues; Hysen Fazliu, anëtar; Rushan Ceka, anëtar; Zelfije Pllana, anëtare; Nuhi Provoliu; anëtar dhe Ylber Zabërgja, anëtar. Në raportin e monitorimit të rekrutimit të publikuar nga BIRN thuhet se së paku 5 nga 6 anëtarët e këtij bordi kanë pasur lidhje apo kanë qenë të afërt me koalicionin PAN, që kanë qeverisur në mandatin e kaluar.

Qeveria Kurti emëron përkohësisht në krye të bordit të Ujësjellësit anëtarin e LVV-së