Kryesuesi i Bordit të KOSTT, tregon emrat e kompanive nga të cilat kanë tregtuar energji

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria së Kosovës e ka intervistuar Jeton Mehmetin, kryesues i Bordit të Drejtorëve në ndërmarrjen KOSTT.

Gjatë intervistimit në këtë komision, Mehmeti ka përmendur emrat e disa kompanive nga të cilat është importuar energjia, ndërsa nuk ka përmendur se nga cilat shtete ka ardhur importi.

Mehmeti e ka përmendur se një ndër kompanitë nga të cilat është tregtuar energjia, është edhe kompania GEN.

“Tani ne flasim për tregtarët që KOSTT ka blerë energji elektrike, por jo për gjithë sisitemin se nga blejnë palët e tjera. Këta tregtarë kanë licenca rregullative të zonave të tjera” – tha Mehmeti.

Ai ka përmendur GEN Tirana SHPK, GEN-i në Shkup, KESH SH.A. Shqipëri, GEN për të cilin tha se nuk e di vendin prej nga është, etj.

KALLXO.com, ka dërguar pyetje në KOSTT, për listën e palëve tregtare prej të cilave është blerë energji e të cilat i ka përmendur Mehmeti në Komision si dhe vendin e origjinës së kompanive.

Në përgjigjet e dërguara nga Zana Bajrami-Rama, Menaxhere për Komunikim dhe Relacione me Publikun në KOSTT thuhet se kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT=it, Jeton Mehmeti, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike për periudhën qershor 2021-maj 2022, ka prezantuar listën e palëve tregtare me të cilat KOSTT ka Marrëveshje Kornizë për pjesëmarrje në ankandet për blerjen e energjisë që shpallen nga KOSTT për mbulim të humbjeve teknike, si në vijim: GEN-i Tirana sh.p.k (Shqipëri), GENI-i PRODAZBA NA ENERGIJA DOOEL SKOPJE (Maqedoni e Veriut), KESH sh.a (Shqipëri), ENERGY SUPPLY-M DOOEL import-export Skopje (Maqedoni e Veriut), AYEN AS ENERGJI sh.a (Shqipëri), ENERGIA GAS AND POËER ALBANIA sh.p.k (Shqipëri), GEN-i trgovanje in prodaja električne energije (Sloveni), Ener Trade sh.p.k (Shqipëri), ENERGY DELIVERY SOLUTION AD Skopje (Maqedoni e Veriut), Noa Energy Trade sh.p.k (Shqipëri), Interenego, energy engeering Ltd (Slloveni) dhe INTERENERGO MACEDONIA DOOEL Skopje (Maqedoni e Veriut).

Mehmeti gjatë intervistimit ka folur edhe për devijimet dhe humbjet në sistemin energjetik.

Deputeti Abelard Tahiri ka kërkuar të dijë se a i kanë kryer obligimet për devijime në rrjetin energjetik kompanitë KESCO dhe KEK.

Mehmeti, ka treguar se pagesat e devijimeve kanë qenë duke vijuar në mënyrë normale, por në pamundësi të kushteve financiare në kohën e krizës kanë filluar mos të kenë mundësi që të kryejnë pagesa.

Sipas Mehmetit, pagesat nuk janë kryer me kohë, deri sa kompanitë kanë krijuar stabilitet financiar.

Tahiri ka kërkuar nga Mehmeti të kenë qasje edhe në statistikat lidhur me prodhimin, shpenzimin, importin dhe planifikimin e energjisë.

Mehmeti është pyetur edhe sa ka paguar KOSTT për ta mbuluar humbjen në veri nga janari deri në prill.

Mehmeti ka folur për koston e përgjithshme të humbjeve jo vetëm për veriun. Sipas tij, për janar kosto e përgjithshme e humbjeve në sistem është mbi 7 milionë euro.

“Për shkurt deri prill KOSTT nuk ka prokuruar energji elektrike për ta furnizuar veriun”- tha ai.

Mehmeti ka përmendur edhe një kredi të cilën e kanë marr për t`i përmbyll detyrimet e KOSTT.

Sipas Mehmetit kredia është marr nga shteti në vlerë prej 26 milion euro, ndërsa afati i kthimit është për 1 vit.

Më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” raportoi për aferën financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, e të cilën e ka titulluar si skandal të madh financiar.

Sipas këtij mediumi, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-i (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private MB Consulting në Mal të Zi. Kompania MB Consulting e ambasadorit Martin Berishajt supozohet se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.

 

Pasuria e ambasadorit Martin Berishaj, nuk figurojnë 600 mijë eurot që pretendohet t`i ketë marrë nga GEN-i

 

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para ‘cash” rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.

 

Reagon ambasadori Berishaj pas raportimit të medias sllovene

 

Komisioni Hetimor në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike kanë diskutuar që ta ftojnë në intervistim ambasadorin Martin Berishaj.

Anëtarët kanë diskutuar që në mbledhjet e ardhshme ta ftojnë ud. kryeshefin ekzekutiv të KOSTT, Kryesuesin e bordit të KEK-ut dhe kryeshefin ekzekutiv të KEK-u.

Ndërkaq, Driton Selmanaj kryetar i komisionit e ka përmendur edhe ftesën që do t’ia bëjnë ambasadorit Martin Berishaj.

“A mund ta përcaktojmë datën për ta parë agjendën e tij se kur mund të vij ai në Kosovë”- tha Selmanaj.

Shënim: Më 10.10.2022, në ora 12:26 është shtuar përgjigja e KOSTT-it me të gjitha kompanitë nga të cilat Kosova ka blerë energji.