Kryesuesi i bordit të AKP-së: Nuk kemi dërgu asnjë rast në prokurori

Kryesuesi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nazmi Mikullovci, ka deklaruar se nuk kanë dërguar asnjë rast në prokurori për t’u hetuar përkundër faktit që raporti i auditorit ka identifikuar shitje e dhënie me qira shumë nën vlerën e tregut.

Mikullovci u shpreh në “KallxoPërnime” ka deklaruar se sipas opinionin ligjor, bordi aktual mund ta rishikojë një vendim të bordit vetëm nëse ka fakte të reja të vërtetuara për një gjykate.

Ai tha se nëse gjejnë ndonjë rast, që ka bazë për hetim, do ta dërgojë në prokurori.

“Na kemi pasur shumë ankesa, kërkesa prej njerëzve të intersum që kanë kërku që bordi të bjen vendimin për anulimin e vendimeve të bordit të mëparshëm. Për shkak së kjo është bërë problematike, kemi pasur opinion ligjor që bordi aktual mund ta rishikoj një vendim të bordit vetëm nëqoftëse ka fakte të reja të vërtetuara për një gjykate. Na nuk mundemi me u marrë me atë se çfarë ka ndodhë përpara. Nuk kemi çu pra raste në prokurori. Nëse gjejmë raste të cilat kanë bazë, pse jo”, u shpreh Mikullovci.

Ndërkaq shtoi se kanë bërë disa kontrolle, por siç tha ai “gjithçka ka shkuar në rregull me letra”.

“Na i kemi bërë disa kontrolla, prej disa ekseplareve të caktuar, dhe aty cdo gjë sipas letrave ka shku në rregull, është shpall tenderi, kanë konkuru, ja kanë dhanë atij që e ka pas çmimin më të lartë. Cka ka ndodhë prej si është shpall tenderi e ndërkohë nuk e di”, u shpreh tutje kryesuesi i bordit të AKP-së.

Nazmi Mikullovci është zgjedhur në postin e kryesuesit të bordit të AKP-së nga gushti i vitit të kaluar.

Mikullovci ka qenë kryesues i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje.