Kryesuesi i Bordit dhe Drejtori Menaxhues i ZRrE dëshmojnë para Komisionit për Hidrocentrale

Arsim Janova, kryesues i Bordit dhe Petrit Pepaj, drejtor menaxhes të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) sot kanë dëshmuar para Komisionit Parlamenta Hetimor për Hidrocentrale.

Kryesuesi Janova tha se hidrocentralet me mbi 5MgW kapacitet, janë gjithsej 6 hidrocentrale, të cilat duhet të pajisen me lejet ndërtimore, mjedisore, pëlqime nga komuna, që të funksionojnë.

“Roli i ZRrE-së është skema mbështetëse për këto hidrocentrale, për të nxitë gjenerimin e energjisë së pastër. Ne e caktojmë çmimin, periudhën e shitjes që është 10 vjeçare, që iu garantojmë dhe pagesa e debalancave, që është 25% . Është një gamë e hidrocentraleve”, tha Janova.

Sipas tij, për projektet deri në MgW, lejet i lëshon komuna, ndërsa ato mbi 10 MgW i lëshon Ministria.

“Kur të kompletohet i gjithë dokumentacioni, është faza e testimit. Që nga viti 2017, e kemi bërë një ndryshim, më herët ka qenë 6 muaj, ndërsa tash mund të jetë më shumë se një muaj”, ka thënë Janova.

Ai tha se sa i përket ndikimit mjedisorm nuk i përket ZRrE-së, por institucioneve tjera relevante, siç është Ministria e Ambientit.

Ndërsa drejtori Petrit Pepaj, tha se gjatë monitorimit në vitin 2016, është vërejtur se manastiri i Deçanit furnizohet me energji nga një hidrocentral.

“Gjatë monitorimit në vitin 2016, e kemi pa që manastiri i Deçanit është furnizuar me energji nga njëri hidrocentral. Këtë e kemi ndalu, sepse një gjenerator nuk mundet me e lujt rolin e furnitorit”, ka deklaruar Pepaj.

Kurse, kryesuesi i Bordit, Janova tha se e gjithë puna e ZRrE-së është e bazuar në ligje dhe legjislacion, ndërsa nuk e posedojnë ndonjë kontratë me investitorë, pasi sipas tij, këtë punë e bën Ministria e Ambientit.

“Janjova: Jemi duke punuar plotësisht në përputhje me ligjin. Nuk e di kush e ka shkelë ligjin, në hidrocentralet në zonat e mbrojtura. Neve na intereson në aspektin e kapacitetit dhe të licencës”.

Anëtarët e Komisionit, nuk ishin të pajisur me dokumentacionin e nevojshëm, rreth punës së ZRrE-së dhe për këtë aryse u vendos që Janova e Pepaj të thirren edhe një herë tjetër në intervistim, kur të pajisen me dokumentacion.

Ky komision përbëhet nga Eliza Hoxhaj- kryetare, Haxhi Avdyli- nënkryetar, dhe anëtarët: Bajrush Xhemaili, Visar Hoti, Besa Gaxherri, Shpejtim Bulliqi, Artan Abrashi, Teuta Haxhiu, Rasim Demiri dhe Zikreta Halili.